Berisha: Çdo armatosje e Serbisë është kërcënim, jo vetëm për Kosovën!
Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha thotë se çdo armatosje e Serbisë është kërcënim për Kosovën. Kështu flet Berisha, duke iu referuar furnizimit të tyre me dronët Shaheed, me të cilët u sulmua Izraeli.
Berisha thotë se Serbia duhet marrë seriozisht, pasi sipas tij, pajisje luftarake e tyre, tregon se nuk dëshirojnë të jenë pjesë e strukturave euroatlantike.
“Çdo armatosje e Serbisë është kërcënim për Kosovën dhe jo vetëm, por edhe për vendet e rajonit, me theksë shteteve fqinje që dolën nga shpërbërja e Jugosllavisë, ku Serbia për shkak të ambicieve të veta hegjemoniste përbën kërcënim permanent, jo vetëm në raport me Kosovën, por edhe shtetet tjera si, Bosnja, Mali i zi dhe intensifikimi i politikave gjenocidiale në raport me kombet tjera brenda Serbisë, të cilat pritet një ditë të shpërthejnë në konflikt, për të mbrojtur identitetin e vet dhe liritë e të drejtat humanitare”, tha Berisha.
“Me këto pajisje luftarake Serbia tregon se nuk do të jetë pjesë e strukturave euroatlantike, prandaj duhet marr me seriozitet”, shton Berisha.
Ndërsa, sa i përket lidhjes me dronët Shaheed, Berisha thotë se rreziku për sigurinë e Kosovës nuk është i lidhur direkt me këtë fakt.
“Diskutimi rreth kësaj çështjeje është e rëndësishëm, për ta bërë dallimin midis përdorimit të dronëve në konflikte dhe sigurisë së Kosovës si shtet. Në lidhje me dronët “Shaheed” që përdoren ndaj Izraelit, është e vërtetë që Serbia ka histori bashkëpunimi dhe të përdorimit të këtyre pajisjeve ushtarake. Pra, siç edhe ka deklaruar ka blerë qindra mijëra të tillë edhe kamikaz. Megjithatë, rreziku për sigurinë e Kosovës nuk është direkt i lidhur me këtë fakt”, tha Berisha.
Sipas Berisha, siguria e Kosovës ndikohet nga shumë faktorë tjera.
“Kosova është një shtet i pavarur dhe sovran, me institucione të veta funksionale dhe mbështetje të vendeve partnere në planin ndërkombëtar të sigurisë së brendshme dhe pa cenueshmërisë së territorit. Siguria e Kosovës ndikohet nga shumë faktorë, përfshirë stabilitetin politik, ekonomik, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe bashkëpunimin me partnerët strategjik”, tha ai.
“Prandaj, derisa ndikimet regjionale dhe politikat e fqinjëve mund të kenë impakt në kontekstin më të gjerë të sigurisë së Ballkanit, rreziku për sigurinë e Kosovës, nuk mund të përcaktohet vetëm nga përdorimi i dronëve në konflikte të tjera”, shton ai.
“Është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të përqendrohet në zhvillimin e institucioneve të saj me theks të sigurisë dhe mbrojtjes sipas planifikimit gjithëpërfshirës, të harmonizuar me partnerët – aleatin tonë kryesorë SHBA, dhe të mbështesë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë me theks SHBA, për të siguruar stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, tha Berisha për GazetaBlic.