Berisha: Deklarata e patriarkut serb Irinej për Kosovën është për keqardhje
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Anton Berisha, ka reaguar ndaj deklaratës se patriarkut serb Irinej, se Kisha Ortodokse Serbe (KOS) nuk mund ta imagjinojë Serbinë pa Kosovën.
Berisha ka theksuar se Kisha serbe nuk e ka monopolin etnik të krishterimit dhe rrjedhimisht as të drejtën historike në Kosovë. “Andaj intervista e Krishtlindjeve e patriarkut serb Irinej se Kisha Ortodokse Serbe (KOS) nuk mund ta imagjinojë Serbinë pa Kosovën, se Kosova është Serbia e Vjetër, nga e cila ka lindur pjesa tjetër e Serbisë si dhe nënvizimi i tij se ‘Kosova është historia serbe, kultura dhe shpirti i saj, se Prizreni ka qenë kryeqytet i popullit serb e Patrikana e Pejës rezidencë e argjipeshkëv dhe e patriarkëve serbë’ janë konstatime për keqardhje dhe jashtë frymës së festës”, ka thënë Berisha.
Ai ka thënë se referimi i konteksteve historike të kohëpaskohshme është përpjekje që periudhat kolonialiste të Serbisë në Kosovë për t’i paraqitur si e drejtë historike që i takon popullit serb, duke përjashtuar shqiptarët si banorë të këtyre trojeve si dhe duke ua mohuar atyre kulturën duke përfshirë edhe atë krishtere.
“Fetë, janë universale në natyrën e vet dhe çdo interpretim subjektiv e margjinal për të nxjerrë krishterimin si monopol etnik serb ne këtë rajon është tendenciozitet malicioz në kundërshtim me nevojën sublime për të mbrojtur trashëgiminë kulturore të Kosovës. Kjo logjikë e KOS-it nuk është në përputhje me realitetin historik e as me gjendjen faktike aktuale, ngase Kosova është çliruar nga kolonizimi serb, është shtet i pavarur, në të cilin të gjithë shtetasit e saj i kanë të garantuara të drejtat e tyre qytetare, etnike, kulturore dhe fetare”, ka thënë Berisha.