
Berisha: Dënimet e buta e mirëmbajnë dhunën, s’e luftojnë atë
Dhuna ndaj grave në Kosovë është e përmasave alarmuese. Mjafton të rikujtohet e dhëna se për 14 vjet, nga viti 2010 deri në prill të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 58 gra. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave shpesh kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna.
Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës thekson se gratë dhe vajzat vazhdojnë të përballen me forma të ndryshme dhune, ndërsa shumë prej tyre nuk kanë guximin të raportojnë për shkak të mungesës së njohurive për të drejtat e tyre dhe presionit social.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Berisha theksoi gjithashtu se institucionet nuk po i trajtojnë si duhet viktimat, duke përfshirë mungesën e trajtimit të duhur nga policia dhe Qendrat për Punë Sociale.
“Prej përvojës që e kemi, prej rasteve të cilat ne i trajtojmë këtu dhe i ofrojmë këshillim ligjor mund të themi se gratë dhe vajzat janë duke përjetuar forma të ndryshme të dhunës. Fatkeqësia është që jo të gjitha e kanë guximin të raportojnë dhe të kërkojnë mbështetje. Ka arsye të ndryshme, duke filluar prej mungesës së njohurive për të drejtat e tyre, duke filluar prej presionit social që e kanë stigmën nëse një grua raporton bashkëshortin apo familjarin për përjetimin e dhunës, kërcënimet e ndryshme të cilat ia bëjnë ushtruesit e dhunës grave, duke i kërcënuar se do t’ia marrin fëmijët apo do t’ia lëndojnë ndonjë anëtar të familjes. Ka forma të ndryshme, të cilat i bëjnë gratë që ato të mos raportojnë dhunën dhe vazhdojnë të jetojnë një jetë kur drejt tyre ushtrohet dhunë”, tha Berisha.
Berisha vuri në dukje se dënimet për dhunuesit janë shumë të ulëta, gjë që po ndikon në vazhdimin e dhunës dhe mosbesimin e grave ndaj sistemit të drejtësisë
“Sa i përket trajtimit nga institucionet, mund të themi se të gjitha institucionet kanë hapësirë për përmirësim. Në stacionet policore mungon qasja me viktimën në qendër. Ka raste kur nuk ruhet konfidencialiteti, që mund të ndikojë që një grua mos të vazhdojë me procedim raportimin e dhunës. Kemi raste, kur mbrojtësit e viktimave nuk e parashikojnë mirë rrezikun dhe nuk i njoftojnë gratë për të drejtën e tyre për kërkim të urdhrit mbrojtës apo të drejtave të tjera, të cilat u takojnë. Po ashtu kemi vërejtur Qendrat për Punë Sociale, sidomos tek rastet kur viktima janë të miturat , kanë dështuar t’i mbrojnë ato. Kemi raste, të cilat kanë marrë vëmendje mediatike, që me vite vazhdojnë të jenë viktima në forma të ndryshme të dhunës, pikërisht pseshteti ka dështuar të bëjë një plan më konkret për mbrojtjen e tyre”, tha Berisha.
Ajo vlerësoi se dënimet e ulëta për ushtruesit e dhunës janë një problem shqetësues, pasi shumica e rasteve përfundojnë me dënime me kusht ose me gjobë, që nuk e luftojnë dhunën, por e mbajnë atë në një cikël të vazhdueshëm.
“Nëse i shohim dënimet e ushtruesve të dhunës edhe ato janë kryesisht mjaft të ulëta. Në 90 për qind të rasteve kemi dënime me kusht apo me gjobë. Kjo na bën të kuptojmë se me këto masa ne jemi duke e mirëmbajtur dhunën dhe nuk jemi duke e luftuar atë. Prandaj, çdo ditë po shokohemi me raste të reja të dhunimeve, të cilat fatkeqësisht më së shumti po i afektojnë të miturat. Dënimet e ulëta ndikojnë që gratë të mos i besojnë sistemit të drejtësisë, sepse gjithmonë është frika që dhunuesi pas një dënimi të ulët do të dalë dhe do të fuqizohet edhe më shumë dhe vepra e tyre ka shkuar duke u rënduar”, përfundoi ajo.