Berisha dhe Hasani: Luajmë për fitore ndaj Çekisë

06 shtator 2019 | 10:38

Përfaqësuesja e Kosovës ka zhvilluar stërvitjen e parafundit në stadiumin “Fadil Vokrri”, kurse futbollistët Bernard Berisha dhe Florent Hasani kanë shprehur optimizëm se të shtunën tri pikët do t’u takojnë “dardanëve”, ani pse Çekia ka një kombëtare shumë të fortë. Përgatitjen e fundit Kosova e zhvillon sot (e premte) nga ora 15:00.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e ka zhvilluar të enjten në mesditë stërvitjen e radhës para ndeshjes me Republikën e Çekisë e cila është e vlefshme për kualifikimet në Kampionatin Evropian. Në këtë seancë stërvitore atmosfera në kampin e “dardanëve” ishte e mirë dhe se të pranishëm ishin të gjithë futbollistët e ftuar nga përzgjedhësi Bernard Challandes.

Mesfushori Bernard Berisha është rikthyer në përfaqësuese, kurse është shprehur i habitur se pse ende nuk i është dhënë mundësia në asnjë ndeshje zyrtare. “Është kënaqësi gjithmonë të jem këtu. Jam ftuar sepse kam zhvilluar një kampionat shumë të mirë. Trajneri dhe të gjithë e dinë se jam në një moment shumë të mirë dhe kam dëshirë ta jap më të mirën për klubin dhe për Kosovën, por nuk e di pse nuk më është dhënë mundësia në asnjë ndeshje zyrtare. E kam pritur këtë moment. Trajneri e di që jam këtu për të luajtur dhe shpresoj se do ta ndihmoj Kosovën”, ka thënë Berisha, i cili e ka pranuar se Çekia është favorite, por se “dardanët” do të luajnë për fitore. “Kemi shumë mungesa, por duke marrë parasysh se këtu ka shumë talentë, secili dëshiron ta tregojë vlerën që ka. Çekia është favorite, por ne do të mundohemi ta arrijmë fitoren sepse nuk kemi tjetër zgjidhje. Me fitore synojmë t’i gëzojmë gjithë shqiptarët nëpër botë”, ka shtuar Berisha.

Për ndeshjen e së shtunës që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 15:00 foli edhe futbollisti Florent Hasani. Edhe ky i fundit është optimist se Kosova mund t’i marrë pikët e plota në këtë ndeshje. “Kemi kualitet që ta mposhtim Çekinë, edhe pse dihet se është një kombëtare me përvojë, por me ekipin që kemi besoj se mund t’i marrim tri pikë. Mendoj se ndeshjet me Çekinë brenda dhe jashtë do të jenë vendimtare për Kosovën”, ka deklaruar Hasani.

Ndërsa Florent Hadërgjonaj ka shkuar edhe më larg, duke thënë se është në gjendje të luajë në cilindo pozicion që ia kërkon trajneri Challandes. “Kam luajtur edhe në Gjermani dhe Angli si i majtë, megjithëse preferoj të luaj në krahun e djathtë. Mirëpo, nëse trajneri ma kërkon një gjë të tillë, nuk është problem. Jam i gatshëm ta ndihmoj ekipin”, ka thënë Hadërgjonaj. Kosova renditet në pozitën  e tretë me 5 pikë, kurse Çekia është e dyta me 6 pikë.

/Veton ZYMBERI/  

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputeti i Partisë Socialdemokrate (PSD), Faton Topalli, ka bërë me…