Berisha: Do të paraqitemi mirë ndaj Rumanisë dhe Maqedonisë
Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll më 29 nëntor do të përballet me Rumaninë në qytetin Oradea, kurse më 2 dhjetor në Gjevgjeli do të ballafaqohet me Maqedoninë.
Kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha, është optimist se Kosova do të ketë paraqitje të mira në këto ndeshje që janë të vlefshme për parakualifikimet evropiane për “Eurobasket 2021”. “Kemi filluar përgatitjet, ndërsa po presim të na bashkohen edhe basketbollistë të tjerë. Atmosfera është shumë e mirë. Sigurisht se të gjithë do ta japim maksimumin tonë dhe shpresojmë të paraqitemi sa më mirë në këto ndeshje shumë të rëndësishme”, ka thënë Berisha.
Fituesi i këtij grupi do të kualifikohet në kualifikime për “Eurobasket 2021” që do të fillojnë në nëntor të vitit të ardhshëm, kurse dy skuadrat e tjera e kanë edhe një shans tjetër për t’u kualifikuar, por nëpërmjet një raundi shtesë që do të luhet në gusht të vitit 2019.
/Epoka e re/