Berisha e quan Kurtin të ‘krisur’: Qeveria e tij po rrëshqet në tradhti kombëtare
Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti ka marrë vendim për zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe me targa të Kosovës: RKS, përkundër kërkesës së ndërkombëtarëve që ky vendim të shtyhet për dhjetë muaj.
Vendimi i Qeverisë lidhur me targat e automjeteve që nuk janë konvertuar nga ato ilegale në ato RKS, tashmë ka hyrë në fuqi.
Zbatimi i këtij vendimi ndërlidhet me tri faza, që fillimisht parashihen vërejtjet, ndërsa pas tri javëve edhe gjoba për ata që nuk e zbatojnë kërkesën.
Prej një nëntorit deri më 21 nëntor masa do të jetë ajo e qortimit, pastaj nga 21 nëntori për dy muaj, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes. Nga 21 janari do të ketë targa provuese për dy muaj të tjera, pas të cilës datë më 21 prill nuk mund të ketë më targa ilegale në qarkullim.
Ky vendim është marrë nga Qeveria e Kosovës pasi që, BE dhe SHBA-të kanë kërkuar që të shtyhet deri në vitin tjetër afati i konvertimit të targave nga serbët e veriut në targa RKS.
Por, së fundmi zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është shprehur se kërkesa për zëvendësimin e targave ilegale të makinave, që Serbia i lëshon për serbët e Kosovës, nuk mund të shihet më si çështje e negociueshme në dialogun Kosovë-Serbi dhe se nuk ka arsye që vendimi për targat të ndryshojë.
Lidhur më këtë çështje, deputeti i PDK-së, Hisen Berisha për “lajmi.net” është shprehur se këto refuzime ndaj SHBA-ve nuk e cenojnë raportin me SHBA-të por se do të sjellë fundin e Kurtit.
“Çfarë do budallaqesh që mund të bëjnë qeveritarët tanë, ShBA-të mbështetjen për Kosovën e kanë objektiv strategjik të vetin nuk besoj që e lëshojnë Kosovën nga dora për shkak të një njeriu siç është kryeministri aktual apo të një Qeverie që në çdo hap të saj po rrëshqet drejt tradhtisë kombëtare dhe nuk besoj që ShBA-ja ka me lejuar që populli i Kosovës amerikandashes, me lejuar me pësuar për shkak të një njeriu të krisur ose një njeriu egosit që në këtë rast është kryeministri, por edhe stafi i tij përfshirë edhe Bislimin. Për kundër faktit që në emër të dëshpërimit qytetarë e ka marr një votë të fuqishme që e mbanë në pushtet, por mos harrojmë që acarimi me ShBA-në do ta sjell fundin e Albin Kurtit”, është shprehur Berisha.
Më tutje, Berisha e ka quajtur “lojë të pandershme” çështjen e targave dhe është shprehur se sa herë që jemi koordinuar me ShBA-të, kemi dalë fitimtarë.
“Tash se si duhet me ia ngjit emrin kësaj situate tregon rrethana vet në të cilën kemi ardhur tash. Marrëveshje të cilat janë shndërruar në marrëveshje antikushtetuese qoftë ajo për energjinë qoftë ajo për lëvizje të lirë, qoftë kjo puna e targave që kanë qenë të kufizuara vetëm në pjesën veriore tash qarkullojnë më ato tiketat në tërë territorin e Kosovës. E kjo e fundit që kemi ardhur në situatë kur refuzohet edhe kërkesa e ShBA-së me ato marifetet e targave me qortime e penalizmit e ku ta di unë, kjo është një lojë e pandershme ndaj partnerit tonë kryesorë dhe strategjik të janë ShBA-të sepse ne çdo herë që jemi koordinuar me partnerët tanë me aleatët tanë kryesorë ShBA-të kemi dal të fituar në proces”, ka thënë PDK-së.
Gjithashtu, ka përmendur se deri tash ka dëgjuar që ShBA-të t’i adresohen Vuqiçit për pakënaqësi dhe shqetësime por tani kjo çështje iu është faturuar Qeverisë së Kosovës.
Berisha këtu ka ndërlidhur edhe projektin franko-gjerman për të cilin thotë se është në dëm të Kosovës dhe se shkaku pse jemi në këtë situatë është kryeneçësia e qeveritarëve.