Berisha: Fitore e madhe ndaj Zvicrës, nuk ndryshojmë edhe ndaj Danimarkës
Përfaqësuesja e basketbollit të Kosovës e ka demoluar Zvicrën duke e mposhtur me rezultat bindës 76-49. Kapiteni i “dardanëve”, Dardan Berisha, është shprehur shumë i kënaqur me paraqitjen e bashkëlojtarëve dhe suksesin e arritur të mërkurën në mbrëmje ndaj zviceranëve.
“Jemi shumë të lumtur. Kemi ushtruar gjatë për këtë ndeshje. Kemi dëshmuar se jemi përgatitur shumë mirë, ndonëse disa kanë dyshuar. Shpresojmë që edhe në ndeshjet e tjera do ta kemi këtë energji. Loja jonë ishte shumë e mirë. I përgëzoj të gjithë lojtarët, trajnerët, për atë që kemi bërë deri më tani. Shpresojmë të kemi sukses edhe në ndeshjet e tjera”, ka thënë Berisha, i cili ka paralajmëruar se Kosova ka synime të mëdha edhe në ndeshjen e radhës ndaj Danimarkës.
“Do të vazhdojmë me këtë sistem. Shkojmë në Danimarkë për ta dhënë maksimumin. Do të jetë më vështirë, por do të shkojmë për të fituar. Do të shkojmë hap pas hapi. Po shpresoj që do të kemi rezultat të mirë. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Nuk është bërë asgjë me këtë fitore. Na presin edhe tri ndeshje”, ka deklaruar Berisha.