Berisha flet për ëndrrën e kualifikimit, ka disa fjalë edhe për Kosovën
Kombëtarja kuq e zi me paraqitjet në ndeshjet e fundit i ka shtuar shumë gjasat për një kualifikim të mundshëm në Kampionatin Botëror.
Portieri i kësaj kombëtarje, Etrit Berisha, në një intervistë ekskluzive për ‘GazetaBlic Sport’, ka komentuar paraqitjen e mirë si dhe ka folur në lidhje me kualifikimin e mundshëm në kompeticionin më të madh të futbollit për shtete.
“Forma jonë e lartë nuk fillon vetëm në grumbullimin e fundit, ne kemi bërë ndeshje të mira në të kaluarën dhe trajneri ka bërë një punë të mirë. Ne si futbollistë po luajmë edhe në klubet tona dhe kjo e bën shumë më të lehtë për trajnerin dhe për formën në të cilën ai e zbaton lojën. Tre ndeshjet e fundit që kemi luajtur na kanë dhënë edhe më shumë vetëbesim dhe kanë rritur shpresat tona për kualifikim. Ne kemi parë të dy ekipet kombëtare, Poloninë dhe Hungarinë dhe tani nuk ndihem inferiorë ndaj ndeshjeve të tetorit. Shpresojmë të kemi pak fat dhe të ndjekim ëndrrën e madhe të kualifikimit, ëndërr kjo e çdo shqiptari”, tha fillimisht Berisha.
Më pas ai komentoi edhe paraqitjet e Kosovës, ku tha se ka shumë lojtarë cilësorë që mund të bëjnë gjëra të mëdha në të ardhmen. “Normalisht, i përcjelli ndeshjet Kosovës, por për fat të keq në disa ndeshje kemi orare të ngjashme të ndeshjeve. Kosova nuk pati fat kundër Greqisë, sepse bëri një lojë shumë të mirë. Kosova ka lojtarë shumë të mirë që mund të bëjnë gjëra të mëdha, mbetet një ekip shumë i fortë që pritet të jetë shumë i suksesshëm në të ardhmen”, përfundoi Berisha.
Reprezentuesi shqiptar ka nënshkruar me Torinon dhe do të luajë në këtë edicion me skuadrën italiane.