Berisha: FSK-ja është e gatshme për transformim në Forca të Armatosura
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ka bërë me dije të premten se FSK-ja është e gatshme për marrjen e detyrave dhe përgjegjësive shtesë, që çojnë në transformimin e saj në Forca të Armatosura të Kosovës.
Këtë deklaratë ministri Berisha e ka dhënë gjatë një takimi me shefin e Byrosë së Gardës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjeneralin, Joseph L. Lengyel, bashkë me një delegacion të ushtarakëve amerikanë.
Në këtë takim siç ka njoftuar MFSK-ja është biseduar për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.
Ata shprehen vendosmërinë për ta ngritur në nivel edhe më të lartë bashkëpunimin në mes dy vendeve në të ardhmen.
Ministri Berisha pasi ka falënderuar gjeneralin amerikan për mbështetjen e vazhdueshme dhe të çmueshme, ka folur edhe mbi zhvillimet, avancimin dhe të arriturat e FSK-së si institucioni më i besueshëm i sigurisë në vend, integrimin e pjesëtarëve nga radhët e komuniteteve në FSK, integrimin e gjinisë femërore, trajnimet, shkollimet dhe operacionet humanitare në të mirë të gjithë komunitetit si dhe për çështje të tjera.
Gjithashtu ministri Berisha në takim ka theksuar synimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO dhe në iniciativat rajonale të sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe gatishmërinë e Kosovës për t’i kontribuar paqes dhe sigurisë në botë, duke potencuar se FSK-ja ka kapacitete të specializuara me të cilat do të mund t’i ndihmonte misionet paqësore jashtë vendit.
Gjenerali Lengeyl ka thënë se do të vazhdojnë me rritjen e mëtutjeshme të miqësisë në mes dy vendeve. “Është prioritet yni strategjik që të jemi bashkë me ju. Dua t’ju përgëzoj, në veçanti, për gatishmërinë tuaj për t’i kontribuar paqes”, ka thënë gjenerali amerikan Joseph L. Lengyel.
Gjenerali Lengeyl është pritur në takim edhe nga komandanti i FSK-së, Rrahman Rama.
/Epoka e re/