Berisha: Fusha, pengesë e madhe për FC Dardanët

24 prill 2018 | 10:39

Kapiteni i skuadrës FC Dardanët nga Gjakova, Xhemajl Berisha, ka lindur në nëntor të vitit 1998 në Gjakovë. Ai në vitin 2010 filloi të merret me futboll në shkollën “Makeup”, pastaj kaloi në KF Gjakova, me të cilën u shpallë tri herë radhazi kampion i qytetit si dhe ishte pjesëmarrës në disa turne në Shqipëri dhe Suedi.

Talenti i tij është vërejtur në këta turne dhe skuadra e madhe gjakovare e transferoi në radhët e veta. Në skuadrën kuqezi qëndroi dy vjet e më pas zgjodhi t’i bashkohet skuadrës së Dardanëve, e cila është riaktivizuar në vitin 2007.

Berisha të hënën për “Epokën e re” ka thënë se rezultatet e skuadrës nga Gjakova në Ligën e Dytë janë të mira, por mungesa e stadiumit ka ndikuar shumë në rezultate. “Rezultatet në përgjithësi janë të mira, por mungesa e fushës ka ndikuar që mos t’i kemi rezultatet që donim. Megjithatë, synime për këtë edicion kemi  të bëhet konsolidimi i skuadrës, kurse në edicionin e ardhshëm të kemi edhe më shumë suksese. Ajo që kisha veçuar është se kemi raporte të mira ndërmjet vete të gjithë lojtarët, kurse me kryesinë kemi raporte profesionale”, ka thënë Berisha, i cili nuk e përjashton mundësinë e rikthimit te skuadra e Vëllanzimit. “Vëllaznimi është klubi i qytetit tim dhe shpresoj se një ditë sërish të jam pjesë e tij”, ka shtuar ai. Xhemajl Berisha më pas foli edhe për futbollin e Kosovës në përgjithësi, duke thënë se çdo vit po ka ngritje të cilësisë. “Futbolli i Kosovës ka shënuar një ngritje të konsiderueshme dhe vit pas viti po bëhet mirë e më mirë si për nga cilësia, po ashtu edhe nga kushtet në infrastrukturë”, ka shtuar ai.

Berisha në fund shprehu falënderim për Ambroz Rrustemin dhe firmën e tij “AAR Niki-s”, pasi po e ndihmon skuadrën gjakovare. FC Dardanët pozicionohen në pozitën e dhjetë në Ligën e Dytë të Grupit A me 31 pikë të grumbulluara.

(Liridon ZEQIRI)

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetarët e shteteve dhe qeverive të Procesit të Bashkëpunimit të…