Berisha i gatshëm të bëhet ministër i Kthimit për të treguar si punohet për gjitha komunitetet
Deputeti i komunitetit egjiptian, Veton Berisha, ka shprehur gatishmërinë për të marrë drejtimin e Ministrisë për Kthim dhe Komunitete e cila deri më tani udhëhiqet nga Dalibor Jevtiq i Listës Serbe, për të cilin ka thënë se e ka bllokuar këtë ministri
Berisha ka thënë se nga bojkoti i Listës Serbe ndaj institucioneve të Kosovës ka vështirësuar gjendjen e komuniteteve jo serbe. Ai ka thënë se ministria thirret për komunitetet ndërsa shumica e buxhetit të saj shkon vetëm për komunitetin serb.
“Unë kam ngritur këtë shqetësim më parë, për faktin se bojkoti i Listës Serbe, përdorimi i pozitës së tyre, më së shumti i ka neglizhuar komunitetet tjera, me theks të veçantë Ministria për Kthim dhe Komunitete. Jevtiq ka tri mandate që është në krye të ministrisë. Sivjet kjo ministri i ka nëntë milionë euro. Ai ka pasur mundësi të menaxhojë me 90 milionë euro dhe më së shumti është dëmtuar komunitetin egjiptian. Ministria është e paprekur. Prej ministrit e deri te administrata është e përbërë nga komuniteti serb. Krejt projektet shkojnë për komunitetin serb”, ka thënë Berisha në emisionin “Interaktiv” të “KTV”-së.
“Shprehi gatishmëri për të udhëhequr çdo ministri, por këtë rast kur bëhet fjalë për komunitetet, do jem i gatshëm të marrë këtë ministri që të tregojë se si punohet për komunitetet. Nuk ndihemi mirë kur thirren në emër të krejt komuniteteve ndërsa 99 për qind e buxhetit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete shkon për komunitetin serb”, ka shtuar ai.