Berisha: I kam kualitetet e duhura për të luajtur në Botëror me Gjermaninë
Mërgim Berisha ishte shpallur kampion i Evropës me ekipin U-21 të Gjermanisë, por futbollisti kosovar nuk është ftuar në moshat e tjera më të mëdha të këtij shteti.
Sulmuesi nga Suhareka u rikthye në futbollin gjerman gjatë verës për t’u huazuar në Augsburg nga Fenerbahçe. Ditë më parë trajneri i tij i ri, Stefan Reuter, e kishte lidhur me një mundësi të pjesëmarrjes në Kampionat Botëror, duke e përfaqësuar ekipin senior të Gjermanisë.
“Ka kualitete enorme në ekipin kombëtar, selektori ka shumë mundësi zgjedhjeje, posaçërisht në aspektin ofansiv. Por, nuk mund ta dini prej tash se cila do të jetë gjendja fizike e lojtarëve në muajin nëntor. Mërgimi është një lojtar mjaft i mirë, ekstremisht i rrezikshëm, i cili nga dita e parë ka treguar se mund të përballet me qendërmbrojtësit më të mirë”, ka deklaruar trajneri i Augsburgut. E një dëshirë apo ëndërr të tillë e ka edhe vetë 24-vjeçari.
“Jam mjaft i lumtur për këtë (fjalët e trajnerit) dhe mendoj se i kam kualitetet e duhura për të luajtur në Kombëtare. Me U-21 jemi shpallur kampionë të Evropës në vitin 2021 dhe do ta bëj më të mirën për ta vazhduar këtë kapitull”, ka thënë Berisha për “Sport Bild”. Berishën qe një kohë është duke e pritur Kombëtarja e Kosovës, por duket se ai është më shumë i vendosur të luajë për Gjermaninë.