
Berisha i Partisë Egjiptiane: Nuk e di a do të votoj, deri tani s’kemi marrëveshje me LV-në
Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka thënë se nuk e di a do të votojë nesër (e martë) në seancën konstituive, duke pohuar se deri më tani nuk kanë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Nesër është seanca. Për momentin, nuk e di a do të votoj a jo, sepse nuk kemi ndonjë propozim, i cili e dimë që do të vjen. Sigurisht që bazohemi dhe në personin dhe në marrëveshjen. Për momentin jemi ashtu siç kemi qenë…Kemi kontakte të vazhdueshme, po e diskutojmë dhe po shohim mundësitë e një bashkëpunimi të mundshëm mes nesh (me LV-në). Nëse janë numrat kryhet, sepse është në mandatin e tij… Jo, s’kemi një marrëveshje ( me LV-në)”, ka thënë Berisha.
I pyetur nëse do të ketë bashkëpunim me opozitën, Berisha ka thënë se nuk kanë problem me askënd.
“Ne jemi kolegë me secilin. Për dallim prej krejt të tjerëve ne nuk kemi problem me askënd. Problemi i vetëm është që kushdo që nuk na respekton nuk do të respektohet, derisa ata që na respektojnë do t’i respektojmë. Asnjë pengesë, asnjë vijë të kuqe me askënd nuk e kemi”, ka thënë ai.