Berisha: Jakup Krasniqi nuk mund të njolloset nga asnjë gjykatë e Serbisë
Zyrtari i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, ka reaguar pas bastisjes së Speciales në shtëpinë e Jakup Krasniqit. Me anë të një postimi në “Facebook”, Berisha ka thënë se Krasniqi “ishte dhe mbetet ikonë e luftës së UÇK-së”.
Berisha ka thënë se Jakup Krasniqi dhe lufta titanike e UÇK-së nuk mund të njolloset nga asnjë gjykatë e Serbisë dhe argatëve të saj.
Postimi i plotë i Berishës:
Jakup Krasniqi ishte dhe mbetet ikona e luftës së UÇK-së për lirin e Kosovës.
Ai ishte frymëzim i luftëtarëve dhe i gjeneratave të reja se si duhet atdheu dhe si luftohet për të deri në vetëflijim!
Jakup Krasniqi dhe lufta titanike e UÇK-së nuk mund të njolloset nga asnjë gjykatë e Serbisë dhe argatëve të saj sepse janë vetë liria e këtij vendi!
Gjykata e Hagës e formuar me dosje të Serbisë dhe argatëve të saj në Kosovë, do të dështojë si të gjitha përpjekjet e deri tanishme, për ta barazuar luftën çlirimtare të popullit shqiptar me luftën gjenocidale të Serbisë. Jakup Krasniqi ishte i UÇK-së dhe betimi i saj:
“Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftojë për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre, do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që më çdo kohë, pa kursyer as jetën time të luftojë për t’i mbrojtur interesat e shenjta të ATDHEUT. Nëse shkeli këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës, dhe nëse tradhtoj qoftë i humbur gjaku im. BETOHEM”. I pamposhtur do të jetë gjithmonë zëri i fuqishëm i UÇK-së, Jakup Krasniqi!