Berisha: Jemi duke diskutuar me të gjitha forcat opozitare për bashkëpunim
Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se Komisioni i Rithemelimit të PD-së është duke diskutuar me të gjitha forcat politike në opozitë për një koalicion në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Berisha ka theksuar se është në diskutime si me LSI-në dhe me aleatët e tjerë historik të PD-së.
“Kemi diskutuar perspektivën për një bashkëpunim të ardhshëm mes nesh”, tha ai.
Kur u pyet nëse ka diskutime me Kryemadhin u shpreh: “Jemi në diskutime, kemi pasur kontakte të gjithanshme”.
Më tej tha se nuk do të injorohet asnjë grupim për bashkëpunim.
“Me të gjithë pa përjashtim. Ne nuk injorojmë askënd. Ju e patë nga foltoret brenda partiake u kalua në foltore me qytetarët. Do të zgjerojmë spektrin me të gjitha forcat në Shqipëri. Jo vetëm në politikë, por dhe me shoqërinë civile”, ka pohuar ai./tvklan.al