Berisha: Kam mentalitet fituesi, dua vetëm fitore
Valon Berisha synon të ketë suksese me Lazion në sezonin e tij të dytë, pasi i pari i shkoi huq.
Mesfushori kosovar thotë se është një fitues i lindur dhe se jep gjithçka në fushën e blertë. Valon Berisha ka folur për objektivat e tij dhe të Lazios për sezonin e ardhshëm. Futbollisti
kosovar e ka dhënë një intervistë për të përditshmen sportive italiane “Corriere dello Sport”, ku ka folur edhe për lëndimet që nuk e lanë rehat sezonin e kaluar dhe për
rikthimin e tij.
Përfaqësuesi i Kosovës insiston se gjithmonë dëshiron të fitojë dhe për këtë e jep edhe atomin e fundit në fushën e blertë.
“E kam një mentalitet fitues. Dua vetëm të fitoj në ndeshje dhe në stërvitje. Dua ta arrij një status të formës së lartë dhe të luftoj për një vend titullari”, ka thënë fillimisht futbollisti i lindur dhe rritur në Norvegji.
“Para vitit të kaluar nuk kisha aq shumë lëndime. Isha ndalur vetëm një herë në të kaluarën”, ka shtuar Berisha, i cili ka folur edhe për jetën e tij të re në Itali, ku thotë se nuk është aspak e lehtë dhe se ka presion për të huajt.
“Ishte mjaft e vështirë të vija në Romë dhe të qëndroja i vetëm. Familja ime ishte larg, e kam ndier largësinë”, ka shtuar Berisha që, megjithatë, thotë se bashkëkombësi i tij, portieri Thomas Strakosha, e ka bërë të ndihet si në shtëpi dhe atë e konsideron si një vëlla.
Familja është diçka e shenjtë dhe e rëndësishme në jetën e çdo futbollisti. Madje, ai e tregon edhe arsyen se përse nuk e kishte pranuar një ofertë nga Premierliga kur ishte më i ri. “Familja ka qenë gjithmonë e rëndësishme për mua. Dëshiroja të vazhdoja të studioja,
nuk isha i sigurt për një të ardhme si lojtar”, ka përfunduar Berisha. Tash është koha për ta ndërruar faqen, për të shikuar përpara me optimizëm. Berisha është i gatshëm ta veshë fanellën dhe të luftojë për ta ndihmuar Lazion që
ta arrijë objektivin e madh sezonal: kualifikimin në Ligën e Kampionëve.