Berisha: Kemi shanse për kualifikim
Kosova po vazhdon stërvitjet dy herë në ditë për t’u përgatitur sa më mirë para ndeshjeve parakualifikuese për “Eurobasket 2021”. “Dardanët” po stërvitin anën fizike dhe taktike, derisa atmosfera në kampin e Kosovës është shumë e mirë.
Përzgjedhësi i Kosovës, Damir Mulaomeroviq, ka kërkuar angazhim nga lojtarët edhe në stërvitje, duke theksuar se përballjet nuk do të jenë aspak të lehta dhe njëkohësisht shumë të rëndësishme. Kosova gjatë gushtit do të përballet me Luksemburgun dhe Britaninë e Madhe (ndeshje vajtje-ardhje), ku vendi i parë kualifikohet tutje.
Kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha, ka folur për rrjedhën e përgatitjeve. “Stërvitjet po shkojnë shumë mirë. Ne do të mundohemi të përgatitemi maksimalisht deri para ndeshjeve në muajin gusht. Gjithashtu, do të kemi edhe ndeshje miqësore që do të na ndihmojnë shumë. Shpresoj të mos kemi lëndime deri në fund dhe gjithçka të shkoj sipas planit”, ka thënë Berisha për faqen zyrtare të FBK-së.
Ai foli edhe për gjasat e Kosovës për kualifikim. “Sa kanë gjasa kundërshtarët tanë, ashtu edhe ne kemi gjasa. Ne do të mundohemi të bëjmë paraqitje sa më të mirë. Por, shpresoj se me ndihmën e publikut do t’ia dalim. Ndeshja e parë është shumë e rëndësishme dhe do të mundohemi të fitojmë. Sidoqoftë, angazhimi ynë nuk do të mungojë dhe do të japim 100 % nga vetja”, ka shtuar Berisha. “Dardanët” më 3 gusht janë mysafirë të Luksemburgut, më pas e presin Britaninë e Madhe më 7 gusht dhe Luksemburgun më 14 gusht, kurse ndeshja e fundit është kundër Britanisë në udhëtim më 17 gusht.