Berisha: Kosova duhet t’i marrë shembull shtetet e tjera për uljen e çmimit të biletave të avionit
Ish-drejtori i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha, ka thënë se është për t’u çuditur se si nuk po ulen çmimet e biletave të avionit edhe përkundër numrit të madh të kompanive ajrore.
“Është për t’u çuditur që, edhe përkundër numrit të madh të kompanive ajrore, prapë ka ankesa të udhëtarëve për bileta të shtrenjta. Pra, konkurrenca nuk po e ul çmimin e biletave. Këtu duhet pasur parasysh se secila kompani ajrore paguan shërbimet e njëjta për të arritur në Prishtinë dhe për të fluturuar nga Prishtina në drejtim të qyteteve evropiane”, ka thënë Berisha për gazetën “Epoka e re”.
Ai ka theksuar se për shkak të mbylljes së korridorit të Malit të Zi që nga viti 1999, të gjitha fluturimet që kanë destinacion Kosovën duhet të qarkullojnë përmes Shqipërisë dhe Maqedonisë për të hyrë e dalë nga hapësira ajrore e Kosovës. E kjo, sipas tij, ka ndikim edhe në çmimin e biletave. “Në vitin 2019 AAC-ja dhe Qeveria e Kosovës kishte pranuar një zotim të qartë të NATO-s se ky korridor do të hapej në fund të vitit 2020. Marrëveshja për fluturimin e kompanisë ajrore gjermane Prishtinë – Beograd vetëm sa e forconte vullnetin e autoriteteve malazeze për ta lejuar hapjen e këtij korridori, duke marrë parasysh se hapësira ajrore mbi 5 000 metra e Malit të Zi kontrollohet nga ndërmarrja e përbashkët serbo-malazeze me qendër në Beograd”, ka thënë Berisha.
Ai ka theksuar se me hapjen e këtij korridori do të shkurtohej çdo fluturim për në Kosovë për rreth 30 minuta. “Po ashtu, nuk do të paguhen taksa për shërbime në hapësirën ajrore të Shqipërisë dhe të Maqedonisë, të cilat vetëm e rëndojnë koston e kompanive ajrore”, ka thënë Berisha.
Ai ka thënë se tregu i fluturimeve në Republikën e Kosovës është i hapur për të gjitha kompanitë ajrore të regjistruara në BE. Sipas Berishës, shteti ka mekanizma për të adresuar këtë problem të pazgjidhur që nga paslufta.
“Nëse nuk kanë njohuri, le t’i shohin shtetet e tjera. Për shembull, Maqedoninë e Veriut se si ka arritur t’i ulë çmimet e biletave. Ka rritur numrin e udhëtarëve dhe ka kontribuar dukshëm edhe në rritjen e produktit vendor. Maqedonia e Veriut ka zbatuar dy programe katërvjeçare me të cilat ka subvencionuar drejtpërdrejt kompanitë ajrore me pagesa për çdo udhëtar. Edhe Kosova ka pasur një iniciativë të tillë në vitin 2019”, ka thënë Berisha.
Ai ka treguar se Ministria e Infrastrukturës në atë kohë kishte propozuar një plan për subvencionim të kompanive ajrore të cilat rritin numrin e udhëtarëve për çdo vit me një kosto prej 5 milionë eurosh.
“Ky propozim u refuzua nga Ministria e Financave kinse bie ndesh me rregullat e ndihmës shtetërore të BE-së. Për dallim prej Kosovës, Maqedonia e Veriut ka status më të avancuar në raport me BE-në, por nuk ngurroi të bie ‘ndesh’ me këto rregulla për shkak të nevojës për rritje të numrin të udhëtarëve”, ka thënë Berisha.
Ai ka theksuar se për ta ndryshuar gjendjen e tanishme në Aviacionin Civil të Kosovës duhet vullnet, përkushtim dhe dituri për të manovruar brenda rregullave të lejueshme të BE-së.
(Albulena S. MAVRAJ)