Berisha: Kosova po koordinohet me NATO-n rreth transformimit të FSK-së
Ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Rrustem Berisha, ka bërë me dije sot se shteti i Kosovës dhe ministria që drejton në vazhdimësi është duke u koordinuar me NATO-n, shtetet partnere dhe partnerët strategjikë rreth planit të Kosovës për të ardhmen e FSK-së.
Ai ka thënë se Kosova do të jetë plotësisht transparente, në mënyrë që vendimet rreth transformimit të FSK-së dhe të ardhmes së saj, mos ta befasojnë askënd, raporton “Epoka e re”.
Këtë deklaratë ministri i FSK-së e dha gjatë takimit që pati me ambasadoren e Finlandës në Republikën e Kosovës, Pia Stjernvall.
Në këtë takim të përbashkët u bisedua për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërshtetërore në mes të Kosovës dhe Finlandës, në veçanti për nevojën e inicimit të një bashkëpunimi më intensiv në mes të Kosovës dhe Finlandës në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, përkatësisht në mes të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Finlandës.
/Epoka e re/