Berisha: Kufijtë e Kosovës janë vënë në “tepsi”
Ish-kryeministri dhe ish-lideri i Partisë Demokratike, aktualisht deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Sali Berisha, ka deklaruar se kufijtë e Kosovës janë vënë në “tepsi”.
Berisha, ,ka deklaruar se OSBE kishte nxjerrë një dokument në vitin 1992, që thoshte se problemi i Kosovës do të zgjidhet nëpërmjet dialogut Prishtinë- Beograd.
“Sot janë vënë në ‘tepsi’ kufijtë e Kosovës, në një kohë kur Kosova ishte në pushtimin serb dhe u miratua në shtator të vitit 1992 dokumenti i samitit të OSBE-së. Kosova u nxor zë i veçantë në dokumentin e samitit, ku shkruhej se problemi do të zgjidhet nëpërmjet dialogut Prishtinë- Beograd me ndërmjetësimin e palës e tretë”, ka deklaruar Berisha në një intervistë për RTV “Dukagjini”.
Berisha e konsideron këtë si proces regresiv për Kosovën, pasi sipas tij Kosova ishte që nga 1992 në këtë status sa u përket kufijve. “Çka do të thotë kjo? Cila ishte kjo? Ky ishte ligji i parë ndërkombëtar qe e nxirrte Kosovën, e bënte Kosovën eligjibël për faktorin ndërkombëtar”, është shprehur ai.