Berisha: Me përkrahjen e ‘Dardanëve’ do ta mposhtim Rumaninë
Ylli i Përfaqësueses së Kosovës në basketboll, Dardan Berisha, në një deklaratë të dhënë për Federatën e Basketbollit të Kosovës ka thënë se stërvitja e së martës ka qenë e mirë për faktin se ekipit përfaqësues i janë bashkangjitur edhe disa basketbollistë.
“E kemi nisur të kompletuar, pasi ka ardhur edhe Malcolmi. Po gëzohemi që ka ardhur edhe Rioni prej lëndimit. Jemi më të kompletuar. Është kthyer edhe Edmond Azemi, i cili do të japë edhe përvojë. Po përgatitemi shumë mirë. Po besoj se edhe lojtarët kanë luajtur nëpër ekipet e tyre, kështu që fizikisht jemi më mirë sesa që kemi qenë. Tani po e presim edhe listën [e lojtarëve të zgjedhur]”, ka thënë Berisha, i cili beson se Kosova mund ta mposhtë Rumaninë të dielën në kryeqytet. “Jemi optimistë. Po besoj se do të fitojmë, por normalisht varet edhe nga Rumania, me çfarë ekipi vjen. Normalisht, ne do të jemi 100 për qind të përgatitur dhe do të japim gjithçka që ta fitojmë këtë ndeshje shumë me rëndësi për Kosovën, kështu që i kisha ftuar publikun, krejt ‘Dardanët’, të vijnë për të na përkrahur. Kjo do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe unë po u premtoj të gjithëve se do ta japim 100 përqindëshin tonë për të fituar”, ka deklaruar Berisha.
Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll është grumbulluar të hënën dhe ka nisur përgatitjet për duelin me Rumaninë që do të zhvillohet më 24 shkurt në orën 20:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë në kuadër të parakualifikimeve për “Eurobasket 2021”.