Berisha: Mezi pres ta filloj aventurën e re në Torino
Pas një sezoni në Serinë B me Spalin, Etrit Berisha rikthehet sërish në elitën e futbollit italian, këtë herë për të veshur fanellën e Torinos, me të cilën firmosi një kontratë të vlefshme për tre sezonet e ardhshme.
Gardiani i Kombëtares Shqiptare kaloi me sukses vizitat mjekësore dhe firmosi me klubin “granata” ku do të marrë vendin e italianit Sirigu dhe do të duelojë për postin e titullarit me serbin Milinkoviç-Saviç.
Menjëherë pas firmës mbi kontratë, Berisha reagoi në rrjetet sociale, ku falënderoi klubin dhe tifozët e Spalit për dy sezonet e kaluara në Ferrara dhe u shpreh se me Torinon nis një etapë e re e karrierës së tij.
“Ferrara! Ishte vërtetë kënaqësi të isha pjesë e juaja gjatë këtyre dy sezoneve të kaluara së bashku, ku mësova shumë dhe dhashë gjithçka. Në këtë qytet më keni bërë të ndihem si në shtëpi… Tani rifillon udhëtimi im në një ekip të ri dhe mezi pres që të nis punën”, ka shkruar Berisha. Gardiani 32-vjeçar nga Prishtina u transferua në Serinë A në verën e 2013-ës te Lazio, ku qëndroi për tre sezone, ndërsa po tre vite mbajti veshur edhe fanellën e Atalantës, para se të transferohej te Spali, ku luajti një sezon në elitë dhe një tjetër në Serinë B.