Berisha: Ndeshja ndaj Norvegjisë do të jetë speciale

03 qershor 2024 | 16:09

Për ndeshjen miqësore që Kosova e zhvillon ndaj Norvegjisë, ka folur edhe mesfushori më përvojë të madhe, Valon Berisha. Për mesfushorin në fjalë ndeshja ndaj Norvegjisë do të jetë speciale për faktin se në këtë vend mori hapat e parë në futboll, por edhe se familja e tij jeton në këtë shtet.

“Po, jemi të gatshëm. Kemi pasur disa ditë të forta të stërvitjeve, sot ka qenë më shumë seancë taktike. Trajneri na ka organizuar mirë dhe jemi përgatitur mirë. Ushtrimet kanë qenë intensive, pasi kemi pasur nevojë, sepse disa lojtarë kanë pasur pauzë 10 ditore para se të grumbullohemi këtu. Është një ndeshje e veçantë, sepse familja ime jeton atje, atje jam rritur dhe i kam marrë hapat e parë në futboll. Ata më kanë vlerësuar shumë dhe më kanë dhënë shumë besim kur kam qenë i ri. Kam debutuar për Norvegjinë shumë herët. Sigurisht se do të jetë një ndjenjë e përzier, por gjithmonë e kam ndjerë veten shqiptar dhe e kam kënaqësinë dhe privilegjin që të luaj për Kombëtaren e Kosovës”, ka thënë Berisha.

“Por, normalisht se është një ndeshje e veçantë sepse njoh shumë lojtarë, por edhe pjesëtarë të stafit që ende punojnë aty e që kanë qenë në kohën time dhe padyshim do të jetë një ndeshje më e veçantë se të tjerat. Ka shumë shqiptarë në Norvegji sidomos në pjesën e Oslos, kështu që besoj se do të ketë shumë tifozë shqiptarë që do të na ndjekin nga afër dhe do të na japin energji shtesë për të bërë paraqitje sa më të mirë”, ka shtuar Berisha.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për disa është “retorikë boshe” dhe “asgjë e re”, por…