Berisha: Në Derby për fitore edhe më të thellë
12 janar 2024
| 14:05
Haris Berisha ishte prej më të dalluarve në Përfaqësuesen e Kosovës në hendboll në fitoren ndaj Britanisë së Madhe. Berisha bëri 11 pritje dhe solli siguri në mbrojtjen e “dardanëve” që fitoi me rezultat 30:22.
Ajo ndeshje megjithatë i takon së kaluarës. Fokusi është kthyer te ndeshja e dytë, që zhvillohet të shtunën prej orës 14:00 në Derby të Anglisë.
“Do të mundohemi të përmirësojmë gabimet e ndeshjes së parë dhe të arrijmë rezultat bindshëm më të mirë. Duam të festojmë së bashku në fund e pastaj të përgatitemi për pjesën finale të kualifikimeve për ‘Euro 2026’. Kosova e ka vendin në kualifikimet e rregullta dhe këtë duam ta dëshmojmë”, ka thënë Haris Berisha.