Berisha në kontaktet me klubin italian
Etrit Berisha është që prej muajit qershor një futbollist i lirë, pasi u largua nga skuadra e Empolit me të cilën kishte luajtur në sezonin e kaluar.
Portieri shqiptar nuk gjeti dot një marrëveshje gjatë verës dhe mbetej në treg si një lojtar i lirë.
Një situatë që e la atë edhe larg grumbullimeve të Kombëtares shqiptare, me Strakoshën të graduar tashmë portier të parë për shkak të pamundësisë së Berishës për të gjetur ekip. Por duket se portieri po bën gati një rikthim të mundshëm në fushë, për më tepër në futbollin italian.
Përtej Adriatikut raportohet se Berisha është në kontakte me klubin e Salernitanës dhe mund të nënshkruajë me këtë të fundit nëse gjendet akordi mes palëve. Klubi i Serisë B ka nevojë për një portier ekspert, pas dëmtimit që ka pësuar portieri Sepe, nëse konfirmohet një mungesë e gjatë e këtij të fundit.
Palët janë në diskutime, pasi Salernitana po bën negociata edhe me Antonio Miranten për mundësinë që ekziston për t’iu bashkuar këtij ekipi.