Berisha në Shqipëri për të diskutuar rreth bashkëpunimit në fushën aviacionit civil
Drejtori i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), Eset Berisha, me bashkëpunëtorë, dje ka qëndruar për vizitë zyrtare në Autoritetin e Aviacionit Civil të Shqipërisë, ku është pritur nga drejtori i përgjithshëm, Krislen Keri dhe bashkëpunëtorët e tij.
“Drejtori Berisha, e falënderoi Drejtorin Keri për ftesën dhe vlerësoi lartë të arriturat e Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar. Zhvillimet në aviacionin civil në Republikën e Kosovës, por edhe sfidat për zhvillim të mëtejshëm në të ardhmen kanë qenë preokupim që nga emërimi”, ka deklaruar Berisha. Më tutje, ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në mes të dy autoriteteve, si anëtare të Marrëveshjes ECAA, në fushën e standardeve të sigurisë së aviacionit si dhe këmbimit të legjislacionit si dhe përvojave dhe ekpertizave të personelit profesional, me ç’rast kërkoi angazhim të personelit kosovar në aktivitetet e ndryshme që zhvillohen në AACSH.
Të dy drejtoret u dakorduan se bashkëpunimi në mes të dy institucioneve do të vazhdoj në të ardhmen me një marrëveshje bashkëpunimi.