Berisha: Nesër do ta mbushim sheshin si asnjëherë më parë
Lideri i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha në një deklaratë për mediet, ka përsëritur edhe një herë se opozita do të dalë për të protestuar ditën e nesërme (e martë) në Tiranë, kur do të mbahet Samiti BE-Ballkani Perëndimor.
Ai ka bërë me dije se populli opozitar do t’i mbushë rrugët e sheshet për të mbrojtur vlerat evropiane, që sipas tij janë të rrezikuara nga nga kryeministri Edi Rama.
Berisha është shprehur se me protestën e 6 dhjetorit, opozita ka si synim që t’i tregojë lidershipit evropian se ai (Rama) që përfaqëson Shqipërinë në samit, e pushtetin të ngritur mbi votën e vjedhur.
“Nesër ne, populli opozitar do të mbushë rrugët dhe sheshet e Tiranës në një shenjë proteste të fuqishme. Pikërisht në mbrojtje të vlerave evropiane, tmerrësisht të rrezikuara nga Edi Rama dhe regjimi i tij. Çdo shqiptar që e do këtë vend, e do lirinë, dinjitetin njerëzor dhe që beson se kushti i të gjitha kushteve është vota e lirë. Ne jemi në një betejë me armikun e egër të votës së shqiptarëve, Edi Ramën për t’i dëshmuar lidershipit evropian se njeriu që qëndron si përfaqësues i Shqipërisë e ka pushtetin dhe karrigen të ngritur mbi dhunimin e votës së shqiptarëve, mbi drogën, trafiqet, dinako-shtetin që ka ndërtuar në Shqipëri, mbi vjedhjet e mëdha të paimagjinueshme për një vend evropian. Ai ulet aty si kryeministër i Shqipërisë, por edhe si krye-hajduti i Shqipërisë”, ka thënë Berisha, duke paralajmëroi se ditën e nesërme rrugët do të mbushen me protestues si asnjëherë më parë.