Berisha nominohet për ‘Ekipin e vitit në Bundesligë’
Kanë mbetur edhe pesë xhiro pa përfunduar sezoni në Bundesligë, tashmë është koha për t’i bërë llogaritë për edicionin 2022/23.
Futbollisti kosovar, Mërgim Berisha është përfshirë në listën e lojtarëve të nominuar për “Ekipin e sezonit (TOTS).
Që nga e marta mbrëma (19:00) tifozët mund të votojnë për “Ekipin e vitit në Bundesligë” në “FIFA 23”, të cilën Liga e Futbollit Gjerman (DFL) e zgjodhi me mbështetjen e EA SPORTS, njofton uebfaqja e klubit të Berishës, Augsburg.
Një total prej 40 lojtarësh të cilët impresionuan veçanërisht këtë sezon, u zgjodhën në këtë listë. Me 9 gola dhe 4 asistime, përfaqësuesi i ri i Gjermanisë u bë njëri prej kandidatëve.
“Ekipi i Vitit” do të zgjidhet nga votat e tifozëve (40 për qind), gjykimi i një jurie ekspertësh (30 për qind) dhe nga votat e 18 kapitenëve të ekipeve të Bundesligës (30 për qind).
11 lojtarët më të mirë do të jenë pjesë e “Bundesliga TOTS” nga EA SPORTS dhe do ta fitojnë një përmirësim domethënës të vlerave në “FIFA 23”.
Votimi i fansave do të vazhdojë deri të premten, më 28 prill në orën 19:00. Vendimi final i “Ekipit të vitit” do të zbulohet të premten e 12 majit.