Berisha nuk largohet nga Sigal Prishtina
Basketbollisti Dardan Berisha do të jetë pjesë e Sigal Prishtinës edhe për sezonin e ardhshëm të Superligës së Kosovës në basketboll.
Kjo është konfirmuar nga kryetari i Sigal Prishtinës, Blerand Stavileci, i cili e ka konsideruar reprezentuesin kosovar si “të pa prekshëm”.
“E para, Dardani ka kontratë me Prishtinën, siç kanë edhe një pjesë e konsiderueshme e lojtarëve vendorë që kanë qenë vitin e kaluar. Ne kemi dashur që njëherë t’i mbyllim këta lojtarë dhe pastaj të bisedojmë më secilin për të parë se cili është dhe cili mund të mos jetë në planet e trajnerit…Lojtarët mund të kontaktohen nga secili klub, nga agjentë të ndryshëm, por Dardani ka kontratë për dy sezone me Prishtinën, është kontratë që është nënshkruar vitin e kaluar. Pra Dardani është dhe do të jetë lojtarë i Prishtinës. Gjithmonë në klube ka lojtarë që janë të paprekshëm dhe ka lojtarë me të cilët ndoshta mund të bisedohet”, ka thënë Stavileci për “KosovaPress”. Javëve të fundit, Berisha ishte lidhur me një lëvizje, përkatësisht rikthim te klubi i basketbollit Peja, por që kjo nuk do të ndodh.