Berisha: OKB-ja dhe BE-ja t’i hetojnë vrasjet raciste të shqiptarëve në Greqi
Seria e vrasjeve të emigrantëve shqiptarë që po ndodh në Greqi, pas eliminimit të minoritarit Kostandinos Kaçifas nga forcat RENEA në Bularat, është kthyer në fenomen shqetësues, pasi viktima e fundit ishte një 18-vjeçar në Kavala.
Për këto ngjarje të rënda ka reaguar ashpër ish-kryeministri Sali Berisha. Duke iu referuar vrasjes së Marios Isa në Kavalla, Berisha ka dënuar me ashpërsinë më të madhe këto akte kriminale të mirëfillta raciste.
“Pas vrasjes ne shkëmbim zjarri nga policia shqiptare te ekstremistit grek nga Bularati, Kostandin Kaficas, ne vendin fqinj, ne hakmarrje te verbër raciste e primitive, ka shpërthyer një serial vrasjesh te shqiptareve ne tërësi. Në një hark kohor pak javësh janë ekzekutuar në zona dhe rrethana te ndryshme të Greqisë 7 shqiptare, që të gjithë përveç njërit janë ekzekutime gjakftohta të bazuara ne urrejtjen dhe racizmin primitiv ndaj shqiptarëve dhe si hakmarrje, akte kriminale albanofobi”, ka shkuar Berisha në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai gjithashtu ka kërkuar me urgjencë ndërhyrjen e ndërkombëtarëve pranë autoriteteve greke nëpërmjet një hetimi të thellë të këtyre vrasjeve, të cilat sipas ish-shefit të qeverisë janë me motive raciste.
“I bëj thirrje Komisionit te të Drejtave të Njeriut te OKB, Këshillit të Evropës, Komisionit dhe Këshillit të Ministrave te BE te ndërhyjnë pranë autoriteteve greke për një hetim të pavarur mbi shkaqet dhe rrethanat e ekzekutimeve raciste të shqiptarëve në Greqi dhe të ushtrojnë të gjithë presionin e merituar ndaj autoriteteve greke që këto akte kriminale te shëmtuara te ndëshkohen”, ka shkruar Berisha. /TCh/