Berisha për foton e publikuar nga Brovina: Paraqet barbarinë serbë kundër grave shqiptare
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar pas publikimit të fotografisë nga deputetja e PDK-së, Flora Brovina, në të cilën shihet një grua shqiptare duke u përdhunuar nga paramilitarët serbë.
Berisha në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se kjo fotografi paraqet barbarinë serbe.
“Miq, kjo foto që paraqet barbarinë serbe, përdhunimin publik të grave shqiptare nga monstra të ushtrisë serbe është një aktakuzë e rëndë për gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit të pushtuesve mizor serbë në Kosovë, të cilat kërkojnë drejtësi dhe kurrë nuk parashkruhen”.
“Por kjo foto dhe qindra e mijëra foto, video e dokumente si këto akuzojnë gjithashtu dhe heshtjen e pafalshme shqiptare ndaj gjenocidit dhe krimeve shtazore kundër njerëzimit që hordhitë e kasapit të Ballkanit kryen në popullatën shqiptare të Kosovës”, ka shkruar Berisha.
/Epoka e re/