Berisha për paraqitjen e Gërvallës në OKB: S’ka dinjitet moral ta mbrojë Thaçin dhe Veselin

19 tetor 2022 | 12:22

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, të martën ka mbajtur fjalim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Gjatë këtij takimi, ministrja Gërvalla ka paraqitur të arriturat e Republikës së Kosovës, sfidat me të cilat përballet, sukseset në fushën e ekonomisë dhe sundimit të ligjit, reformat në fusha të ndryshme si dhe perspektivën e vendit.

Në fjalim po ashtu, Gërvalla ka përmendur edhe kohën e luftës.

Ajo ka thënë se Serbia ka dashur që Kosovën ta largojë krejtësisht nga harta, mirëpo me luftëtarë trima, me UÇK-në e me të gjithë popullin, Kosova arriti të mbijetojë. Dhe se Serbia ka nënshkruar marrëveshje me Rusinë në OKB si një shtet agresor në Ukrainë dhe këtë gjë e ka cilësuar si të turpshme.

Në seancë kishte një përplasje mes kryediplomates kosovare Gërvalla dhe atij të Serbisë, Nikolla Selakoviq. Ku ky i fundit ka përmendur Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin si të akuzuar për krime lufte dhe se janë në Hagë për t’u proceduar dhe dënuar “për krimet e tmerrshme që kanë kryer ndaj serbëve”.

Ndërsa Gërvalla ani pse e pati rastin ta replikonte nuk i përmendi fare dy ish-krerët e UÇK-së.

Një sjellje e tillë nuk ishte aspak befasuese për deputetin e PDK-së, Hisen Berisha.

 

“Nuk duhet të na befasoj. Edhe pse një sjellje e tillë nuk preferohet për një zonjë në këtë rast që përfaqëson politikën e jashtme të shtetit, e jo më ambiciet e saj personale. Ata vërtetë janë atje në kuadër të një raporti të Dick Martyt, i cili nuk ka akuzuar individualisht personat që janë atje, por ka akuzuar shtetin e Kosovës dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për një vepër që është ndër më monstruozet në periudhat e luftës dhe qenia e tyre në Hagë është pikërisht për ta mbrojtur Kosovën dhe identitetin e luftës tonë nga këto pretendime.”, është shprehur Berisha për “lajmi.net”.

Për këtë çështje, Berisha përmend edhe deklaratat e më hershme të ministres së jashtme dhe thotë se nuk ka dinjitet moral që t’i mbrojë Thaçin e Veselin. Po ashtu, është shprehur se shpreson dhe nuk do të duhet të ketë motivacion hakmarrës.

“Gërvalla nuk e ka edhe dinjitetin moral për t’i dal në mbrojtje, ju e dini sjelljen e saj, deklarimet e saj publike nuk kanë qenë këto fshehtazi, kjo është deklaruar hapur nëpër televizione publike tonat që ka deponuar fakte dhe ka një urrejtje patologjike ndaj kategorisë së luftës duke i përgjithësuar dhe duke pretenduar për diçka që ende duke është argumentuar dhe dukem mos i lënë hapësirë as gjykatave dhe as drejtësisë që ata ta vendosin… Të gjithë këta njerëz që kanë qenë të përfshirë në luftë kane qenë bashkëpunëtorë të babës së saj edhe shumë të tjerë që janë dëshmorë, përfshirë Sali Çekun edhe këta që janë të gjallë”, ka thënë Berisha.

Më tutje, Berisha ka shtuar se Gërvalla duhej të deklaronte se “ne besojmë në drejtësi dhe besojmë që e drejta do të triumfojë sepse lufta e Ushtrisë Çlirimtare ka qenë e drejtë dhe që përfaqësuesit që janë atje po mundohen ta ruajnë këtë vlerë mbi të cilat është ndërtuar liria dhe e ardhmja jonë”.

Deputeti i PDK-së, ka thënë se me heshtjen e saj Gërvalla e ka dëmtuar Kosovën dhe imazhi i Kosovës kurrë më shumë nuk është dëmtuar në aspektin e diplomacisë e të politikës së jashtme se sa nga përmbajtja e raportit të Dick Martyt.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka bërë me…