Berisha: Prishtinën gjithmonë e kam dashur, këtu s’jam për para

22 shtator 2021 | 17:58

Sulmuesi që djersiti fanellën kuqezi dhe atë të “dardanëve”, Besart Berisha, është paraqitur në skuadrën më të madhe në vend. Ai ka mohuar se ka nënshkruar për këtë klub për shkak të financave, por për faktin se e ka dashur gjithmonë. 36-vjeçari me plot sukses ka luajtur për Hamburgun dhe Arminia Bielefeld e Gjermanisë, kurse karrierë ka bërë edhe në Norvegji, Danimarkë, Angli, Australi dhe Japoni.

Ish-reprezentuesi i Kosovës dhe Shqipërisë, Besart Berisha, është paraqitur  të mërkurën në skuadrën e Prishtinës. Ai ka thënë se klubi “bardhekaltër” është i madh dhe se mezi po pret të fillojë stërvitjet me të. “E dua këtë klub shumë. Kam lidhje me të dhe gjithmonë më ka pëlqyer. Këtu kanë luajtur shumë nga shokët e mi. Më kanë pëlqyer edhe tifozët ‘Plisat’. Klubi ka traditë, feston 100-vjetorin. Për mua ka qenë gjithmonë Prishtina dhe besoj se do të mbetet. Mendimi im është se ky klub është më i madhi. Gjithmonë e kam përcjell. Jam i lumtur që kam ardhur dhe, të them të drejtën, mezi pres t’i filloj stërvitjet”, ka thënë Berisha, i cili e ka falënderuar presidentin e klubit, Remzi Ejupi, për mundësinë e dhënë që ai të bëhet pjesë e Prishtinës. “Falënderoj presidentin Ejupi që më ka dhënë mundësinë të vij në këtë klub. Ka qenë dëshira ime që të luaj te Prishtina dhe në Ligën e Kosovës. Shpresoj që mund t’i ndihmoj klubit dhe lojtarëve të rinj me përvojë sa të kem mundësi. Besoj se do të kalojmë shumë mirë”, ka shtuar Berisha.

Sulmuesi që ka bërë karrierë të madhe në futbollin botëror, ka mohuar se ka ardhur në skuadrën e Prishtinës për shkak të kushteve financiare. “Lidhja financiare nuk ka qenë në pyetje. Qëllimi im ka qenë të vij aty ku kam bërë hapat e parë. Këtu kam lindur dhe e kam për zemër. Sa të kam forcë do të kontribuoj. Për financa nuk kam ardhur këtu. Do të përpiqem t’i ndihmoj lojtarët e rinj. Gjithmonë kam pasur dëshirë të rikthehem në Kosovë, sidomos në dy vjetët e fundit”, ka deklaruar sulmuesi veteran. Në fund, Berisha ka treguar se synon të fitojë tituj me skuadrën e Prishtinës: “Ka rëndësi për mua të fitoj tituj dhe të shënoj gola”.

Ndërsa presidenti i skuadrës kryeqytetase, Remzi Ejupi, ka thënë se Prishtina është e befasuar me përforcimin e ri, pasi duket si 26 vjeçar. Ai ka thënë se presin shumë nga ish-sulmuesi kuqezi. “Pasi i përfunduam testet, duket që kemi lojtar 26-vjeçar. Kemi mbetur të befasuar. Presim një performancë të lartë nga Besarti. Besoj se do t’i ndihmojë edhe grupmoshat e reja. Besarti besoj se do të ndihmoj shumë në klubin e Prishtinës jo vetëm me rezultate, por edhe te grupmoshat e reja. Dyert e Prishtinës janë të hapura për të gjithë lojtarët e vjetër që kanë bërë karrierë”, ka thënë Ejupi.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Piloti italian Valentino Rossi, ikona e garave të MotoGP, i…