Berisha: Problem madhor, nismat tona bllokohen nga Kuvendi
Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha, ka mbledhur grupin parlamentar të PD-së mëngjesin e sotëm.
Në nisje të mbledhjes, kryedemokrati Berisha ka vënë theksin tek ligji i lustracionit i propozuar nga PD-ja.
“Përsëri parlamenti përjashton nga shqyrtimi nismat tona në një qëndrim politik të dënueshëm, antikushtetues. Në parlament nuk sillet ligji i lustracionit, një ligj i domosdoshëm për të ndarë shoqërinë nga ish-persekutorët e diktaturës komuniste. Ligji tani ka bazë të plotë kushtetuese sepse në Kushtetutën e vendit ky nen tani është i sanksionuar pavarësisht se është shkelur dhe nuk zbatuar nga institucionet socialiste të sistemit të drejtësisë”.
“Ideja e zëvendësimit të këtij neni me një ndërhyrje në kodin zgjedhor, është një ide hakmarrëse. Ne do të insistojmë për sjelljen e këtij ligji, që ka standardet më të mira dhe që tani nuk mund të ketë asnjë pengesë tjetër meqenëse është i sanksionuar në Kushtetutë si proces. Mossjellja e ligjit ka vetëm një synim, përdorimin e amendamentit të Ballës, të cilin e mbështeti edhe AliBasha, për gjah shtrigash. Ligji ka rregullat e veta, ka procedurat e veta dhe transparencën e plotë”, ka thënë Berisha.