Berisha: Qeveria nuk është e rrezikuar nga mocioni i opozitës

29 korrik 2018 | 12:58

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ali Berisha, ka thënë se opozita me deklarimet për rrëzimin e Qeverisë ka vetëm një qëllim, ta mbajë të zgjuar elektoratin e saj.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka bërë me dije se Qeveria Haradinaj nuk ndihet e rrezikuar nga mocioni i opozitës. “Prandaj jemi të sigurt se Qeveria do të vazhdojë punën e saj dhe nuk do të merret me deklaratat e opozitës nëse i ka apo jo votat për rrëzimin e Qeverisë. Qeveria është duke punuar dhe efektet e kësaj punë, sidomos kohët e fundit, janë të dukshme. Qeveria nuk është e rrezikuar nga mocioni i opozitës. Deklarimet për rrëzimin e Qeverisë kanë për qëllim të mbajnë zgjuar elektoratin e opozitës”, është shprehur Berisha.

Ai ka vlerësuar se koalicioni qeverisës është duke kryer punën të mëdha dhe, sipas Berishës, problemet që kanë qëndruar për vite të tëra në sirtarët e qeverive të kaluara, kanë filluar të zgjidhen nga kjo Qeveri. “Kjo Qeveri ka arritur të kryejë shumë punë deri më tani. Detyrat që ka pasur Kosova për liberalizimin e vizave tashmë janë kryer, ka ndryshime pozitive në sektorin e drejtësisë, shëndetësisë, infrastrukturës, arsimit, energjetikës dhe të tjerët me radhë. Janë miratuar një serë ligjesh të rëndësishme, në mesin e tyre edhe Ligji për Prishtinën. Prej një situate kaotike situata ka filluar të stabilizohet me qeverisjen Haradinaj. Të gjitha ato që kanë qenë problematike për Kosovën, përfshirë edhe demarkacionin, janë duke u kryer. Pra, problemet që kanë qëndruar për vite të tëra në sirtarët e qeverive të kaluara kanë filluar të zgjidhen me këtë Qeveri”, ka deklaruar ai.

Berisha i ka bërë thirrje opozitës t’i votojë projektligjet që janë në dobi të Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe të mos shikojë vetëm interesin partiak e politik. Sipas Berishës, partitë politike duhet të arrijnë konsensus për dialogun në mënyrë që njëherë e përgjithmonë Kosova ta përmbyllë çështjen e pazgjidhur me Serbinë. “Nëse jemi të bashkuar në këtë proces, edhe arritja e marrëveshjes përfundimtare do të jetë më gjithëpërfshirëse, më e pranueshme dhe më e lehtë. Kosovës i duhet një konsensus i tillë në mënyrë që njëherë e përgjithmonë ta përmbyllë çështjen e pazgjidhur me Serbinë”, ka thënë ai.

“Epoka e re”: Z. Berisha, opozita ka paralajmëruar se ka arritur t’i sigurojë 58 vota për rrëzimin e Qeverisë, pra i duhen edhe tri vota për të iniciuar mocion të mosbesimit. I frikësoheni mocionit të mosbesimit dhe a ka rrezik që ndonjëri nga deputetët e komunitetit shumicë apo pakicë t’ju ‘tradhtojë’?
Berisha: Opozita në vazhdimësi që nga momenti i krijimit të Qeverisë ka deklaruar se kjo Qeveri do të rrëzohet, mirëpo qeveritë nuk rrëzohen me deklarata, por përmes proceseve demokratike që i njeh Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet e saj, si është mekanizmi i votimit në Kuvend. Për asnjë moment deri më tani pozita e Qeverisë nuk ka qenë e rrezikuar sepse kemi kryer punë të mëdha të cilat nuk kanë mundur të kryhen për vite të tëra. Problemet e Kosovës që janë grumbulluar ndër vite janë duke u zgjidhur nga Qeveria aktuale. Prandaj deklarimet për rrëzimin e Qeverisë kanë për qëllim që ta mbajnë të zgjuar elektoratin e opozitës.

“Epoka e re”: Do të thotë se, të paktën, në këtë periudhë kohore Qeveria nuk ndihet e rrezikuar?
Berisha: Pozita nuk e sheh që është e rrezikuar në këtë periudhë kohore. Prandaj jemi të sigurt se Qeveria do ta vazhdojë punën e saj dhe nuk do të merret me deklaratat e opozitës nëse i ka apo jo votat për rrëzimin e Qeverisë. Qeveria është duke punuar dhe efektet e kësaj pune, sidomos kohët e fundit, janë të dukshme. Qeveria nuk është e rrezikuar nga mocioni i opozitës.

“Epoka e re”: Ju po e lavdëroni punën e Qeverisë, kurse opozita po e kritikon si dhe po insiston që të shkohet në zgjedhje të reja meqë, sipas saj, qeverisja e koalicionit PAN po e kthen pas Kosovën. Kujt duhet t’i besojnë qytetarët? Dhe cili version është real?
Berisha: Qytetarët nuk duhet t’u besojnë as deklaratave të Qeverisë dhe as të opozitës, por duhet t’u besojnë veprave. Kjo Qeveri ka arritur të kryejë shumë punë deri më tani. Detyrat që ka pasur Kosova për liberalizimin e vizave tashmë janë kryer, ka ndryshime pozitive në sektorin e drejtësisë, shëndetësisë, infrastrukturës, arsimit, energjetikës dhe të tjerët me radhë. Janë miratuar një serë ligjesh të rëndësishme në mesin e tyre edhe Ligji për Prishtinën. Prej një situate kaotike situata ka filluar të stabilizohet me qeverisjen Haradinaj. Të gjitha ato që kanë qenë problematike për Kosovën, përfshirë edhe demarkacionin, janë duke u kryer. Pra, problemet që kanë qëndruar për vite të tëra në sirtarët e qeverive të kaluara kanë filluar të zgjidhen me këtë Qeveri.

“Epoka e re”: Megjithatë, koalicioni qeverisës kohët e fundit po ka problem ta krijojë shumicën në Kuvendin e Kosovës dhe si rezultat i kësaj të enjten nuk ka arritur t’i ratifikojë tri marrëveshje ndërkombëtare të cilat ia mundësojnë Kosovën qasjen për aplikim në fonde prej miliona eurosh.
Berisha: Bazuar edhe në të kaluarën çështjet që kanë qenë në interes të Kosovës, sidomos ato që kanë të bëjnë me procesin integrimit e që është rruga e vetme e Kosovës drejtës së ardhmes nuk duhet të shikohen vetëm nga aspekti politik dhe partiak. Prandaj besoj se partitë opozitare do ta shohin se është me rëndësi që në këtë periudhë të votohen projektligjet që janë pjesë e agjendës evropiane. Miratimi i këtyre ligjeve dhe zbatimi i tyre është në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Projektet e IPA-s duhet të votohen me 2/3 e votave në Kuvendin e Kosovës, edhe në të kaluarën kur pozita nuk i ka pasur 80 vota partitë opozitare kanë votuar pro vetëm e vetëm që të mos humbin miliona euro në të mirë të Kosovës. Edhe tani besoj se do të ndodhë e njëjta gjë, meqë miratimi i këtyre projektligjeve është në dobi të qytetarëve.

“Epoka e re”: Një çështje me të cilën po ballafaqohet Qeveria dhe Kosova në përgjithësi është edhe dialogu me Serbinë, do të mund Qeveria Haradinaj të krijojë konsensus për përfundimin e këtij procesi?
Berisha: Më e mira për Kosovë sa iu përket çështjeve të mëdha si dialogu dhe arritja e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, është arritja e konsensusit politik. Kosovës i nevojitet më shumë se kurrë një konsensus i madh politik për përmbylljen e një çështje shekullore me Serbinë. Kosova në asnjë moment dhe për asnjë çmim nuk guxon të tërhiqet dhe të ketë kompromise të reja. Kompromisi i vetëm i Kosovës është njohja e Serbisë, edhe pse Serbia ka vrarë dhe masakruar mijëra shqiptarë dhe i ka shkaktuar shumë dëme ekonomike e sociale Kosovës. Kompromisi i vetëm si rezultat i një dialogu dhe një vullneti të Kosovës është njohja e Serbisë me gjithë dëmet që ia ka shkaktuar Kosovës. Nuk do të ketë kompromise të tjera. Kosova ka territorin e vet ka Kushtetutën e saj prandaj, si e tillë, duhet të mbetet përgjithmonë. Çdo cenim i saj është shkelje e Kushtetutës dhe është cenim i gjakut të derdhur të shqiptarëve për liri dhe pavarësi. Asnjë politikan dhe asnjë individë nuk guxon dhe nuk ka mandat të diskutojë për shkëmbim territoresh me Serbinë.

“Epoka e re”: Do të mund të arrihet apo jo konsensusi për dialog?
Berisha: Partitë politike duhet ta gjejnë formulën për arritjen e konsensusit për dialogun me Serbinë. Nëse jemi të bashkuar në këtë proces edhe arritja e marrëveshjes përfundimtare do të jetë më gjithëpërfshirëse, më e pranueshme dhe më e lehtë. Kosovës i duhet një konsensus i tillë në mënyrë që njëherë e përgjithmonë ta përmbyllë çështjen e pazgjidhur me Serbinë.

 Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë persona, përfshirë këtu edhe tri foshnje kanë vdekur, pasi…