Berisha: Si pasojë e vendimeve të gabuara të Qeverisë, 1/3 e territorit do të ndahet me Serbinë
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha, duke komentuar vendimin për pronat e Manastirit thotë se me pikën 7 të planit franko-gjerman 1/3 e territorit të Kosovës do të ndahet me Serbinë.
Sipas tij, kjo vjen si pasojë e vendimeve të gabuara të Qeverisë së Kosovës.
“Me pikën 7 të planit franko-gjerman, 1/3 e territorit po t’i fusim edhe operatorët ekonomikë e të tjera, afër ¼ e territorit, sovraniteti politik do të ndahet me Serbinë. Kjo është pasoja e kësaj qeverie… Manastiri nuk ka pasur prona të trashëguara nga Serbia, as nga ligjet e Serbisë – as të Jugosllavisë, i ka pronat e trashëguara, nëse i ka, i ka nga koha që kur ekziston që kur është kishë ilire, pra trashëgimi ortodokse shqiptare, të cilën me marrëveshjen e planit franko-gjerman me marrëveshjen e Brukselit tashmë me pikën 7 i kalon Serbisë dhe kishës serbe”, deklaroi ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ndërkohë, ai tha se me vendimin e Qeverisë së Kosovës tashmë Komuna e Deçanit është e hendikepuar.