Berisha: Sot kemi hyrë në fushën e betejës, 12 Nëntori protesta më e fuqishme që ka njohur Shqipëria
Në një takim me krerët e degëve të qarkut Tiranë, kryetari i PD-së, Sali Berisha, është shprehur se “PD-ja ka hyrë në fushën e betejës”.
Gjatë fjalës së tij, Berisha ka theksuar se “shqiptarët presin nga PD-ja dhe nga opozita shqiptare shpëtimin nga kjo klikë”, që sipas Berishës “kanë vendosur monizimin më të shëmtuar në Shqipëri”.
“Ne sot kemi hyrë në fushën e betejës. Duhet të kuptohemi, të gjitha përpjekjet tona të deritanishme kanë qenë përpjekje për t’u ngritur në këmbë, për të dëshmuar veten tonë si opozitë e vërtetë, si PD e rithemeluar. Tani, ne vijmë në fillimin e betejës. Vijmë në fillimin e betejës sepse shqiptarët, jo vetëm në Shqipëri, por kudo që janë presin nga PD-ja, opozita shqiptare, shpëtimin nga kjo klikë, nga ky njeri i cili ka vendosur monizmin më të shëmtuar në Shqipëri. Monizmi i tij sot qëndron në rrafshin e shtetit ligjor, disa shkallë më poshtë se monizmi në Vietnamin socialist në të cilin Partia Komuniste është forcë udhëheqëse hegjemone me kushtetutë. Pra nuk është pluralizmi, siç thotë kushtetuta jonë, por është monizmi, por shtetin ligjor ata e kanë 4 shkallë më në rregull seç e kemi ne, në këtë situatë katastrofale”, ka thënë Berisha.