Berisha sot paraqitet në SPAK, opozita proteston para godinës
“SPAK është nën kontrollin e Edi Ramës, e ka rreshtuar Shqipërinë me Rusinë e Bjellorusinë”. Kështu u shpreh në “Dita Jonë” në A2 CNN, Aldo Bumçi, pak orë para nisjes së protestës së opozitës që përkon me paraqitjen e kreut të PD-së Sali Berisha, në ambientet e Strukturës së Posaçme. Sipas tij sulmi i SPAK-ut është i njëjtë me sulmet e tjera për zhbërjen e opozitës.
“Ajo që po ndodh, është qartësisht një shtet i vendosur në kontroll nga Edi Rama. Nuk ka më asnjë institucion jashtë kontrollit të tjetër veç opozitës. Veprimet që ka kryer SPAK tregojnë qartë që SPAK është një organ i kontrolluar nga Edi Rama. Ajo që po ndodh në Shqipëri është shkatërrim i shtetit të së drejtës dhe demokracisë. Çështja e Berishës tregon qartë këtë gjë dhe opozita shqiptare ka qenë në një sulm për ta zhbërë. Rama ka korruptuar McGongal për të zhbërë opozitën iu mor vula dhe emri PD-së me vendim gjyqësor të padrejtë. Kush e zhbën dëmin që ne morëm pjesë në zgjedhje pa emër partie, pa logo, pa fonde. Po në parlament ? Sulmi i SPAK-ut është i njëjtë me sulmet e tjera”.
Në A2, Bumçi theksoi se Berisha mbahet në arrest shtëpie pa të drejtë, pasi nuk ka asnjë akuzë dhe nuk ka bërë asnjë shkelje.
“Nuk ka Berisha shkelje, asnjë vendim që përfshin qeverinë e tij që lidhen me pronat e 65 familjeve të nderuara të Tiranës ku dhëndri i tij është një nga 164 pronarët e familjes së njohur Begeja, të cilët kanë marrë vetëm 7% të pronave të trashëguara, që ia mori komunizmi. Berisha nuk ka asnjë vendim për atë pronë. Është Edi Rama kryetar bashkie që ka dhënë lejen e ndërtimit dhe SPAK e mban 4 vite këtë çështje dhe nuk ngre akuzë. Berisha është i arrestuar pa drejtë nuk ka asnjë akuzë, por edhe nëse ka akuzë për një ngjarje që ka ndodhur vite më parë politikani hetohet në gjendje të lirë. Ti nuk mund të izolosh deputetin. Atëherë SPAK mund të izolojë çdo person, shkatërron vullnetin e lirë të zgjedhësve. Pse u shkel kushtetuta për masa të sigurisë ndaj zotit Berisha kur kemi rastin e Tahirit? Pse nuk respektoi SPAK këtë nen të kushtetutës që është i qartë që asnjë kufizim nuk vendoset pa lejen e kuvendit. Pse u mbajt në arrest pa asnjë akuzë?”
Ne nuk jetojmë në një vend të lirë, tha Bumçi dhe protesta e sotme sipas tij ka për qëllim rrëzimin e kësaj qeverie.
“Ne nuk jetojmë në një vend të lirë i përngjajmë, Rusisë, Venezuelës e Bjellorusië. Rasti i Belerit është i njëjtë; u shkel kushtetuta dhe ligji nga të gjitha gjykatat për të mos lejuar betimin. U lirua kur s’kishte më nevojë ta mbante në burg, u la të lejonte në Strasburg. Ajo që do të ndodhë sot e në vijim; nuk do ndalojmë pa përdorur asnjë mjet deri sa të rrëzojmë këtë qeveri. Ky është një narko shtet. Maqedonia i ka zgjidhur zgjedhjet me qeveri teknike. Në këtë vend nuk kryhen zgjedhje. Këtë e ka thënë Osbe Odihr, ku thotë që kërcënohen zgjedhësit, blihet vota dhe shteti është përdorur nga partia në pushtet dhe nuk ka ndarje mes partisë e shtetit. Nuk ka zgjedhje të lira, nuk ka demokraci në një regjim. Nuk ndodh në asnjë vend të botës. Është gënjeshtër që ka një SPAK të lirë”.
I pyetur për deklaratat e Ramës se PD-ja do të marrë më pak vota se në ’97-ën, Bumçi u përgjigj: “Ne kemi marrë mbi 60 deputetë me rezultatin e vjetshëm, ku garuam pa emër, vulë e pa fonde. Pse i referohet ’97-ës? Rama, nuk pati zgjedhje në ’97, se ishin bandat. Me këtë po kërcënohemi ne? Prandaj ka nevojë për qeveri teknike ky vend”.