Berisha: Suksesi, falë presidentit Arsim Kabashi

30 tetor 2019 | 17:16

Kapiteni Visar Berisha për “Epokën e re” ka thënë se suksesi i Ballkanit është falë punës së palodhshme të presidentit të klubit, Arsim Kabashi.

Skuadra e Ballkanit në edicionin e kaluar mezi e siguroi mbetjen në IPKO Superligë me 43 pikë, vetëm një pikë më shumë se Trepça ’89 që është dashur të luajë në barazh për ta siguruar mbijetesën. Në këtë edicion gjërat janë krejtësisht ndryshe, sepse klubi nga Suhareka e ka fjalën kryesore pas dymbëdhjetë xhirove të zhvilluara në Superligë dhe aktualisht është lider. Redaksia e sportit e gazetës “Epoka e re” e ka kontaktuar kapitenin Visar Berisha, i cili ka thënë se organizimi i mirëfilltë dhe puna e presidentit të klubit, Arsim Kabashi, i ka sjellë këto rezultate. “Në këtë edicion jemi duke kaluar nëpër një formë të mirë. Çelësi kryesor i suksesit të deritashëm është falë organizimit të mirëfilltë të klubit si dhe punës së palodhshme të presidentit Arsim Kabashi”, ka thënë Berisha.

Më pas kapiteni i skuadrës së Ballkanit foli edhe për ndeshjen derbi që e zhvillojnë në fundjavë ndaj Feronikelit. Në ndeshjen e parë Ballkani kishte fituar 3-1, kurse tash Berisha nuk jep ndonjë parashikim për rezultatin final, por ka lënë të nënkuptohet se skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi në secilën ndeshje e kërkon maksimumin e pikëve. “Aktualisht jemi liderë falë formës, disiplinës dhe harmonizimit të mirë të ekipit. Çdo ndeshjeje i qasemi me përkushtim maksimal. Kjo ka bërë që ne tani të jemi më lart se ekipet e tjera. Edhe ndeshjen e radhës do ta marrim me përkushtim maksimal dhe do t’i qasemi ashtu si ndeshjeve të tjera”, ka shtuar Berisha.

Mbrojtësi me përvojë të madhe edhe përkundër moshës është duke shkëlqyer në këtë kampionat. Ai është një nga pikat më të forta në skuadrën e Ballkanit dhe në fund mund të jetë ai që mund të ngrehë lart trofeun e kampionit, pse jo edhe të Kupës. Lidhur me sukseset e skuadrës së tij, Berisha tregohet i kujdesshëm, duke thënë se është herët për ta parashikuar përfundimin e kampionatit. “Me gjithë formën që e gëzojmë si ekip, por edhe personalisht, mendoj se është ende herët për të folur për trofetë që mund të fitojmë. Ne jemi në rrugë shumë të mirë, por kampionati është shumë i gjatë dhe ka ende lojë për t’u zhvilluar”, ka përfunduar ai.

Ballkani aktualisht është në pozitën e parë në elitë me 26 pikë. Prej dymbëdhjetëve ndeshje, ka regjistruar tetë fitore, dy humbje dhe dy barazime.

/Veton ZYMBERI/

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykatësi Sali Murati është zgjedhur në krye të Gjykatës Kushtetuese…