Berisha- Thaçit: Nuk kemi frikë, jemi të gatshëm për zgjedhje
Nënkryetari i AAK-së, Ali Berisha u është përgjigjur deklaratave të sotme të presidentit Hashim Thaçi, i cili haptazi e “kërcënoi” kryeministrin Haradinaj me zgjedhje të reja.
Berisha ka deklaruar se AAK-ja, nuk ua ka frikën kërcënimeve të presidentit. “Ne nuk kemi aspak frikë, as për çështjet jetike që janë për Kosovën, por në rast të zgjedhjeve, kurdo që mbahen ne jemi të gatshëm për to”, ka deklaruar Berisha.
Megjithatë, ai nuk i sheh këto deklarata si kërcënime, por si diskurs të përditshëm politik. “Nuk mendoj që janë kërcënime, ato janë deklarime të zhargonit të përditshëm politik. Ai është president i vendit dhe obligim kryesor e ka unitetin e vendit”, shtoi ai.
Sipas tij, për zgjedhje të reja vendosin deputetët e jo presidenti. “Për zgjedhje vendosin partitë politike dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë tutje Berisha për “KALLXO.com”.
Për Berishën, në Kosovë për momentin ka çështje më të rëndësishme sesa shkuarja në zgjedhje të reja. “Mendoj se çështjet e rëndësishme nacionale, siç është dialogu me Serbinë, mandej çështja e kufijve, këto janë më të rëndësishme se vet zgjedhjet. Mendoj se këto janë deklarime të panevojshme në këtë moment të rëndësishëm në dialogun me Serbinë, vendimeve për ushtrinë, e liberalizimit të vizave”, është shprehur Berisha.
Ndërsa, sa i përket deklaratës së presidentit Thaçi se një kryeministër serioz nuk flet çdo ditë për luftë, Berisha iu kundërpërgjigj duke thënë se nëse ka cenim të sovranitetit të Kosovës, çdo qytetar i vendit duhet të jetë i shqetësuar.
“Nuk besoj që ka çështje ma serioze sesa sovraniteti i një vendi. Në qoftë se ka cenim të sovranitetit të një vendi, apo Kosovës është shumë normal, jo vetëm kryeministri, por çdo qytetar i vendit duhet të jetë i shqetësuar dhe duhet të japë kontributin e vet, qoftë edhe me sakrificë”, tha Berisha.
Sot gjatë ditës, presidenti i vendit përmes një konference për media i ka dërguar mesazh haptazi kryeministrit Ramush Haradinaj, se vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja, nëse ky i fundit nuk i “korrigjon” deklaratat e tij.