Berisha thirret sërish nga SPAK-u, përfundojnë hetimet

23 shtator 2024 | 11:18

SPAK ka njoftuar kryetarin e PD-së, Sali Berisha dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin se duhet të paraqiten të mërkurën për t’i njoftuar zyrtarisht përfundimin e hetimit, shkruan “A2”.

Afati i mbylljes së hetimeve ishte data 2 tetor 2024.

Edhe avokatët e Berishës dhe Malltezit do jenë të mërkurën në SPAK.

Së bashku me mbylljen zyrtare të hetimeve, të pandehurit do të marrin edhe të gjitha aktet përfundimtare.

Më 11 shtator, Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka njoftuar akuzat për ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, të akuzuar për korrupsion në atë që njihet si afera e terreneve sportive të klubit Partizani.

Berisha është në hetim për veprën penale të korrupsionit pasiv së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Si Berisha ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë cilësuar hetimin si të orkestruar nga kryeministri Edi Rama. Gjithashtu, Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë cilësuar këtë masë si përpjekje për asgjësimin e opozitës.

Në dyert e SPAK u thirr edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, të cilit iu komunikua akuza “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” iu komunikua edhe Xhimi Begeja, si dhe financieres Andia Pustina, ortakë dhe lidhje në veprimtari procedurash me Malltezin.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Interit, Simone Inzaghi e pranon se Milani luajti…