Berisha thirrje mbështetësve nga dritarja: Të bashkuar deri në rrëzimin e Ramës
Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë edhe sot në dritare, për të folur me militantët e mbledhur poshtë banesës. Ai vijoi me të njëjtën linjë duke kërkuar që të jenë të bashkuar deri në rrëzimin e kësaj qeverie. Sipas Berishës, nuk mund të ketë zgjedhje me Edi Ramën.
BERISHA: Çfarë ishte për Shqipërinë dhe shqiptarët viti 2023. Viti 2023 për çdo shqiptar ishte viti i përpjekjeve antiligjore, antikushtetuese, banditeske të Edi Ramës për të shkatërruar opozitën shqiptare.
Ishte viti në të cilin Edi Rama me lakejtë e tij në gjykata, pasi i mori logon dhe vulën PD-së, vazhdoi skenarin e tij për të lenë vendin pa opozitë.
Në përpjekjen për të përqendruar të gjitha pushtetet në duart e tij, Edi Rama aktivizoi me 14 maj, vrasës serial, liroi nga burgjet elementët më të rrezikshëm të krimit të organizuar.
I solli ata nga jashtë, vendosi qytetet në terrorin e tyre.
Përjashtoi nga listat e votimit në qendrat e tyre mbi 1.3 milionë shqiptarë. Hoqi nga fletëvotimi emrin e PD-së, logon e saj dhe kryetarin e saj, Sali Berisha. Përjashtoi të drejtën e opozitës për komisionerë në gjysmën e qendrave të votimit. Përdori dhjetëra e qindra milionë fonde publike për të blerë fonde dhe influenca.
Megjithë këtë, opozita ja doli të konfirmohet e pamposhtur. Në revanshin e tij kundër demokracisë, Edi Rama vazhdoi i pandalshëm, i mohoi opozitës deputetëve të saj, të drejtat themelore kushtetuese. E nxori veten mbi kushtetutën, mbi ligjin.
Ai nuk pranoi të hetohet për aktet e shëmtuara kriminale, ai nuk pranoi të hetohet për krimet që ka kryer me organizatën e tij kriminale që quhet qeveri.
Ai nuk pranoi të hetohet për vjedhjet e mëdha të pasurive publike, për shndërrimin e Durrësit në parajsën e tij dhe të trafikantëve të tij, duke i plaçkitur shqiptarëve në port rreth 4 mln euro tokë dhe pronë publike.
Ai nuk pranoi të hetohet për skandalin më të madh të kohërave, ndërkombëtar, Rama-McGoninal, në të cilin Edi Rama, Charles McGonigal, Agron Neza dhe Dorian Duçka, funksionuan si një grup kriminal i vërtetë.
Në këtë skandal Edi Rama mobilizoi McGonigalin kundër Sali Berishës dhe opozitës shqiptare.
Në këtë skandal Edi Rama vendosi sistemin e gjobave shumëmilionëshe mbi biznesmenët shqiptarë.
Në këtë skandal Edi Rama hoqi e vendosi sikur të ishin të familjes së tij, licencat e naftës pronë publike e shqiptarëve.