Berisha thotë se ndërrimi i ambasadorëve nuk është punë e lehtë, siç po e bën shefi i tij
Para disa ditëve, ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, tha që 22 ambasadorë të Kosovës në vendet tjera do të zëvendësohem me ambasadorë të rinj, dhe se një vendim i tillë është marrë për shkak që ai nuk është njoftuar në Ministrinë e Jashtme me stafin diplomatik dhe nuk ka kohë të merret me këtë çështje.
Mirëpo, zëvendësministri i kësaj ministrie, Anton Berisha, nuk mendon që kjo punë është aq e lehtë, që vetëm me disa deklarata të ndërrohen diplomatët.
Berisha, ka thënë për lajmi.net se kjo procedurë është e rregulluar me ligj dhe duhet të shkojë nëpër tre hallka për të hyrë në fuqi, shkruan lajmi.net.
“Procedura e ndërrimit te ambasadorëve është e rregulluar me ligj dhe nuk është revolucion, Ministria e Jashtme jep vlerësimin për këtë gjë, ajo shkon në Qeveri, dhe Presidenti është hallka e tretë, vetëm kur harmonizohen këto tria mund të ndodhin ndryshime , presim që misionet diplomatike të shkojnë sipas procedurës .” tha Berisha.
Berisha shtoi se çështja e emërimeve të ambasadorëve nuk është vetëm çështje vetëm e Kosovës, pasi që sipas tij ata duhet të konsultohen edhe me shtetet përkatëse ku emërohen ata ambasadorë.
“Sipas normave diplomatike ne duhet të konsultohemi edhe me shtetet ku i kemi ambasadorët, nuk është vetëm çështje e jona, kjo do të shkojë sipas procedurave dhe do të zgjasë një periudhë të caktuar, pra, nuk do të ndodhë menjëherë, nga këndvështrimi i ambasadorit ka një varg procedurash që duhet të plotësohen për të ndodhë ai ndryshim” shtoi Berisha.
Berisha shtoi se nuk është një deklaratë e ministrit apo kryeministrit që mund të bëjnë një gjë të tillë sepse kjo çështje kërkon procedurë të gjatë.
“Duhet të merren parasysh procedurat dhe rregullat, nuk është një deklarim i ministrit apo kryeministrit apo edhe presidentit që mund të bëjë një gjë të tillë, shembull kemi me Çekinë raporte njohjeje por meqenëse Presidenti i tyre ka qëndrim ndryshe, nuk kemi ambasador atje, kemi vetëm të ngarkuar me punë, as atje nuk vendos vetëm Qeveria, por kjo e fundit bashkë me Presidencën” deklaroi Berisha.
Berisha pret që ky proces të depolitizohet dhe të jetë një proces më normal se sa që është “bombastik” .
Po ashtu ai theksoi se do të shkohet me diplomatët e karrierës më shumë se sa me diplomatët politikë në këto vende, ngase sipas tij Qeveritë vijnë e shkojnë, mirëpo diplomacitë mbesin.
“Pres që të jetë më shumë një proces më normal sesa duke parë që është bombastik , të shkohet më shumë me diplomatët e karrierës sepse Qeveritë vijnë e shkojnë, ndërsa diplomacitë mbesin. Vendimi që ta dërgojmë një ambasador në një shtet është çështje edhe e shtetit tjetër si dhe respektit për atë vend, sa më shumë që arrihet të depolitizohet ky proces aq më mirë është për ne” përfundoi Berisha.