Berisha vazhdon kontratën me Akhmat Groznyn
Anësori i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Berisha ka njoftuar se ka vazhduar kontratën e tij me klubin Akhmat Grozny. Berisha ka shkruar në një postim në rrjetin social “Facebook” se ai do të jetë pjesë e klubit rus deri në vitin 2027.
“Jam shumë i lumtur të njoftoj se kam vazhduar kontratën me klubin tim deri në vitin 2027. Zoti është i madh!”, ka shkruar Berisha.
32-vjeçari është pjesë e Akhmat Grozny që nga viti 2017, kur iu bashkua nga Anzhi. Me Akhmat Grozny në këtë sezon që sapo ka nisur në elitën e futbollit rus dhe Kupën e Rusisë, Berisha ka katër paraqitje në fushën e lojës, derisa ka shënuar dy gola, të dyja në Kupë.
Më herët në karrierën e tij, Berisha ka djersitur fanellat e Skënderbeut, Teutës dhe Besës së Pejës dhe asaj të Kavajës.