Berisha vendimtar në fitoren e Augsburgut: Morëm tri pikë të rëndësishme
Mërgim Berisha ia siguroi fitoren Augsburgut në Bundesligë. Sulmuesi kosovar e shënoi golin vendimtar ndaj Borussia Monchengladbachut, i cili e largon ekipin e tij nga zona e ekipeve të rrezikuara për të rënë nga liga.
Futbollisti nga Suhareka në fakt e realizoi një gol akrobatik në minutat e fundit të lojës. Kjo ishte hera e parë që Augsburgu fitoi në shtëpi që nga shtatori i vitit të kaluar, kur pikërisht me golin e Berishës e kishte mposhtur gjigantin Bayern Munchen.
Ky ishte goli i katërt sezonal për Berishën në 11 ndeshje të zhvilluara deri tash në ligën elitare gjermane, ndërsa ai i ka edhe katër asistime. Futbollisti në pronësi të Fenerbahçes ndihet i lumtur me fitoren dhe me golin e radhës.
“Ishte një paraqitje mjaft e mirë nga ana e jonë. U mbrojtëm mirë si ekip dhe i krijuam disa raste. Jam i lumtur që e ndihmova ekipin me golin tim. Por, fakti se ne fituam, është gjëja më e rëndësishme”, ka deklaruar ish-futbollisti i Salzburgut. Falë kësaj fitoreje, Augsburgu iu shmang përkohësisht zonës së ekipeve që do të bien nga liga. Berisha synon ta shpëtojë ekipin e tij dhe shpreson që ta vazhdojë karrierën në Gjermani.