Berisha:: Vuçiqi nuk është i mirëpritur në Tiranë, Serbia paraqet rrezik për paqen në rajon
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në protestën kundër vizitës së presidentit serb, Aleksandër Vuçiqi në Tiranë dhe iniciativës të “Ballkanit të hapur”, ka thënë se ky projekt rajonal është në interes të Serbisë.
“Vuçiqi ka ardhur këtu si udhëheqësi i ‘Ballkanit të hapur’, i tillë si udhëheqësi i aleancës trilaterale Beograd-Shkup-Tiranë, i tillë nuk do të jesh zotëri kurrë i mirëpritur në Tiranë. Jo dhe jo. Sepse nordi yt është Moska, sepse prapa nismës qëndron ideja serbomadhe, qëndron përpjekja për të shndërruar këtë zonë në zonë influence të Putinit. Serbia e Vuçiqit si ajo e Millosheviqit është shndërruar në Rusi e vogël dhe Rusia e vogël është rrezik për paqen, stabilitetin e Ballkanit dhe të Evropës”, ka thënë Berisha, duke kritikuar kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.
Ai ka thënë se kumbara i “Ballkanit të hapur” është George Soros. Ai i ka bërë thirrje ShBA-së që ta ndalojnë këtë projekt të Sorosit.
Më tutje, Berisha ka thënë se ky është vetëm fillimi i protestave.