Berishaj: Kur marrëveshja u dërgua për nënshkrim është hequr një hartë
Anëtari i Komisionit qeveritar për vlerësimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Martin Berishaj, ka thënë se Republika e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi e kanë nënshkruar marrëveshjen për kufi në bazë të negociatave me shumë defekte.
Sipas Berishajt, për të lidhur marrëveshje me një shtet duhet të jenë parakushtet: fqinjësia e mirë, vullneti i dy shteteve dhe dëshira për ta përmbyllur procesin. “Për të caktuar një kufi ndërkombëtar duhet të ekzistojë uti possidetis”, ka thënë Berishaj, raporton “kallxo.com”.
Po ashtu, profesori i shkencave politike, Martin Berishaj, ka thënë se sipas të drejtës ndërkombëtare askush nuk guxon t’i bëjë presion një shteti ta ratifikojë ose jo një marrëveshje. “Shteti e ka të drejtën e plotë ta ratifikojë ose të mos e ratifikojë”, ka thënë Berishaj.
Lidhur me marrëveshjen mes Kosovës dhe Malit të Zi, Berishaj tha se kur është dërguar ajo për nënshkrim është hequr një hartë. “Atje janë 6 fleta dhe janë çuar 5 fleta. Parashtrohet një pyetje: a ka qenë kjo pika e kthesës?… Mundësia për ratifikim nënkupton edhe mundësinë për refuzim”, ka thënë profesori Berishaj.