Berjani i shkruan Kurtit dhe ministrave të tij: Gjendje alarmante në sektorin e naftës
Kryetari i Shoqatës së naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani sot i ka dërguar një letër krerëve të shtetit dhe ia ka bërë të ditur se vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me sektorin e naftës i ka sjellë kompanitë e vogla të cilat merrem me shitjen me pakicë buzë falimentimit.
Letra e plotë e Kryetarit të Shoqatës së naftëtarëve të Kosovës, drejtuar kryeministrit Kurti, zv’kryeministrit Bislimi, ministres së tregtisë, Hajdari dhe Ministrit të Financave Murati:
Për:
Albin Kurtin –Kryeministër i Kosovës, Besnik Bislimi- Zëvendës Kryeministër, Rozeta Hajdari- Ministre-Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hekuran Murati- Ministër- Ministria e Financave
Të nderuar, Ju njoftojmë edhe njëherë se Vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me sektorin e naftës i ka sjellë kompanitë e vogla me pakicë buzë falimentimit. Ky vendim i Qeverisë i premtuar 12 cent për liter nuk është duke u zbatuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Pikat me pakice janë furnizuar dje me çmimin 1.71 cent brenda territorit të Rep. së Kosovës, ndërsa Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e cakton çmimin me 1.75 cent, ku sipas kësaj pikat e vogla të karburantit nuk mund të mbijetojnë më 4 cent. Andaj, i apelojmë Qeverisë së Kosovës që sa më parë ta revidoj vendimin, të bëhet kalkulimi i importit, shitja me pakicë si dhe të caktohet çmimi nga ana e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, me qëllim që mos me i shuar bizneset e vogla në këtë kohë krize.
Fadil Berjani- Kryetar i Shoqatës së naftëtarëve të Kosovës.