Berlini 1878-2019, Kosova 1913-2019: uniteti politik kundër anti-historisë
Shkruan: Gurakuç Kuçi, PhD. Cand.
Berlini 1878
Gjermania me Samite për të ruajtur ekuilibrin e forcave për shkak të Ballkanit ishte përballur edhe më parë. Me 1878 Perandoria e Gjermanisë, në Berlin pa dashje por e detyruar kishte organizuar Kongresin e Berlinit që të rikthente ekuilibrin e forcës në Evropë, pas Traktatit të Shën Stefanit, ku Rusia krijonte satelitë të fuqishëm në Ballkan në dëm të pushtimeve të Perandorisë Osmane.
Megjithatë, si Kongresi i Berlinit edhe Traktati i Shën Stefanit ishin në dëm të shqiptarëve dhe tokave të tyre. Bizmarku si udhëheqës i Kongresit të Berlinit madje kishte deklaruar se “Shqipëria nuk është asgjë më shumë se një emërtim gjeografik”, gjithë këtë vetëm për të ruajtur ekuilibrin e forcës. Çdo prishje ekuilibri dhe futje në luftë do fuste në luftë edhe dy aleatët e Gjermanisë kundër njëri-tjetrit, të Austro-Hungarisë dhe Rusisë me interesa në Ballkan, dhe fuqive tjera.
Megjithatë, Serbia prapë kishte arritur të përfitojë nga gjithë kjo katrahurë, duhet të kujtojmë se Serbia ishte ndihmuar të krijohej në mes të shekullit XIX si mbretëri apo shtet nga Perandoria Habsburgase (Austria) me qëllim dëmtimin e Perandorisë Osmane.
Shqiptarët të pushtuar nga të huajt dhe të përçare mes vete, prapë u bënë mish kurbani i fuqive të mëdha dhe vetëm një emërtim gjeografik. Megjithatë, pas këtij kongresi filloi edhe Rilindja kombëtare shqiptare.
Londra 1913 – Konferenca e Paqes
Kur Luftërat Ballkanike kundër Perandorisë Osmane, ishin fituar por shpërndarja e tokave i kishte kthyer në luftë kundër njëri-tjetrit disa nga ish-aleatët, u organizua Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Shqiptarët dhe Shqipëria shpëtuan vetëm nga interesi dhe kërcënimi i Rusisë dhe Serbisë për dalje në Adriatik në dëm të Austro-Hungarisë. Kjo e fundit insistoi që të ekzistonte një shtet shqiptar në kufijtë që paraqet edhe sot dhe përfshinte ndalimin e daljes në Adriatik për Serbinë dhe Rusinë.
Interesat shqiptare prapë mbetën të pa përfaqësuara në mënyrë të denjë, për shkak të ndarjeve brenda-shqiptare.
Këto rrethana pas kësaj konferencë dhe kufijtë e krijuar brenda territoreve shqiptare, mbesin edhe sot pas më shumë se një shekull pothuajse të pandryshuar. Mirëpo, edhe qasja shqiptare ndaj interesave shqiptare mbetet pothuajse në psikozën e njëjtë të pushtetit.
Çështja territoriale është pjesë e pandryshimeve nga interesat e fuqive të mëdha, por pjesa tjetër është prapambetje e mendësisë kombëtare.
Berlini: 2019 – Stabiliteti i kufijve
Kur me 2015 e pata ngritur si çështje për herë të parë në cilësinë e gazetarit edhe pse jo në nivelin e qartësisë dhe debatit të sotëm, problemin e kufirit me Serbinë, morëm veç një demant të paargumentuar nga KFOR-i dhe askush tjetër. Kjo çështje u ngrit vazhdimisht por mjegulla e qëllimshme vazhdoi pasi edhe opinioni dhe hapësira mediale në Kosovë jepet me ‘njëanshmëri dhe interes’. Nuk mund të themi që kanë ndodhë ngjarje në Kosovë të cilat na kanë befasuar, vetëm se nuk kem lejuar njerëzit adekuat të kenë hapësirën të flasin.
Sot kemi dëshmi të mjaftueshme por jo edhe mbrojtje të mjaftueshme për shtetin e Kosovës nga brenda. Prapë nuk po bëhemi as pjesë e interesave të fuqive të mëdha për të ruajtur interesat tona, por vetëm një shishe në mes oqeanit që dallgët e përplasin pa ndonjë orientim.
Samiti i Berlinit prapë vuri në dukje dy pësime dhe mësime nga e kaluar. E para, se status kuoja e kufijve si me 1878 me ndryshime sado të vogla fut pyka për luftëra të mëdha, dhe e dyta, se kufijtë shqiptarë ekzistojnë dhe mbrohen vetëm falë ruajtjes së paqes së gjerë dhe pa orientim nga vetë vendasit.
Edhe kësaj radhe u nevojit që Gjermania për të treguar se ndryshimi i kufijve dërgon në rrethana të paparashikuara dhe se këtë më mirë se Gjermania nuk e di askush, u nevojit të organizonte një samit, jo shumë me dëshirë por e nevojshme, një paralele me atë të 1878 për nga nevoja por jo edhe përmasa dhe përmbajtja.
Gjermania është pjesë e Bashkimit Evropian, e NATO-së dhe aleat i fuqishëm me SHBA-në, por që mban një afërsi deri diku stabile për interesa ekonomike por edhe strategjike me Rusinë. Ky samit ishte vendi ku u tentua që tu jepet fund interesave amatore për çështje të kufijve, sepse çdo ndryshim i tillë vetëm sa i krijon hapësira dhe maja ushtarake të reja Rusisë në Ballkan. Pra, Gjermania me kundërshtitë e saj po ruan paqen, mirëpo po ofron perspektivën për në Evropë.
Sa po arrin Kosova të paraqes mbrojtjen e saj më të mirë të interesave shtetërore?
Edhe një herë u dëshmua, se Kosova në çështjen e kufijve për ndryshim apo jo po konsiderohet vetëm si territor dhe jo shtet, dhe se përfaqësimi i saj vazhdon të jetë me dy e më shumë delegacione e qëndrime, paçka që u tentua të hidhej hi syve së fundmi.
Kosova atje ishte me dy delegacione, një nga Presidenti Hashim Thaçi dhe tjetri nga Qeveria e Kosovës. Të dy këto palë pa një qëndrim të unifikuar, pala e parë është pro korrigjimit apo ndryshimit të kufijve dhe e dyta e kundërshton fuqishëm. Si të tillë, rreziku është unik për Kosovën nga qëndrimet e ndara institucionale të Kosovës.
Marrëveshjet ndërkombëtare gjithmonë bëhen me palët që paraqesin struktura më të sigurta politike. Duke pasur parasysh që Presidenti Thaçi, ka disa deputetë brenda PDK-së me të cilët mund ta rrëzoj në çdo moment Qeverinë Haradinaj, dhe me këtë rast shpreh stabilitet për ndërkombëtaret për pushtet, atëherë mund të jetë një gur më shumë në anën e interesave antihistorike të copëtimit të Kosovës.
Gjerësisht duke pasur parasysh këtë rrethanë të brendshme politike dhe pasojat potenciale antihistorike ndaj interesave të Kosovës në arenën ndërkombëtare, edhe opozita në Kosovë duhet patjetër që të bëhet pjesë e negociatave dhe të hedhen vijat e kuqe të cilat sigurojnë që pa marrë parasysh përbërjen politike qeveritare në Kosovë, interesat e Kosovës janë mbi interesat personale të kujtdo qofshin ato.
Historia do jetë në anën tonë vetëm nëse ne jemi unikë dhe bëhemi pjesë e fitores, ndryshe 1913 na troket në derë, e 1887-ta mund të bëhet një neo-model.
Gjermania nuk mund të ruaj interesat e Kosovës gjithmonë, kur nga brenda mund të paraqiten grupe me qëndrime tjera. Bota po kërkon rehabilitimin gjeostrategjik të fuqive të mëdha, e rehabilitimi mund të jetë i dëmshëm për shtetet e vogla me paraqitje dhe qasje si Kosova.