Bërnabiq: Deklarata e Kurtit mund të shkaktojë trazira

21 nëntor 2021 | 15:51

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë sot se deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se do të votonte për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë në një referendum të mundshëm në të ardhmen, mund të shkaktojë trazira .

Sipas kryeministres serbe, stabiliteti dhe siguria në rajon po minohen.

“Ajo deklaratë është vetëm një gur tjetër në minimin e themeleve të stabilitetit rajonal dhe sigurisë rajonale. Ajo deklaratë mund të shkaktojë trazira të mëdha në të gjithë rajonin. Politika e Albin Kurtit është e qartë, ai duket se nuk e fsheh. Ajo që shqetëson më shumë është mungesa e reagimeve të komunitetit ndërkombëtar”, ka deklaruar ajo për Tanjugun.

Kryeministri Kurti  ka deklaruar për revistën britanike “Monocle” se do të votonte pro në një referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

“Në të ardhmen nëse do të prezentohej si një referendum demokratik në mënyrë paqësore do të votoja pro, por e përsëris prapë, vetëm nëse do bëhej në mënyrë paqësore dhe demokratike”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ka njoftuar se java e …